Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i kthen qeverisë për rishqyrtim në Kuvend, ndryshimet në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar.

Bëhet fjalë për ndryshimet që përjashtojnë nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import të jahteve dhe të mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vite.

Kreu i shtetit arsyeton se ky ligj nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë.

Argumentet për kthimin e ligjit:

– Duke zgjeruar përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, rrezikon qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë nr. 92/2014, për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe krijon një precedent për një efekt të mëtejshëm zinxhir në shtimin e kërkesave të paargumentuara për aplikimin e këtij rregulli përjashtues;
– Zgjerimi i rrethit të përjashtimeve të kësaj natyre ndikon potencialisht në uljen e të ardhurave tatimore nga tatimi mbi vlerën e shtuar;
– Krijon një diferencim të trajtimit të mallrave të tjera të konsideruara luksi, apo kënaqësie, që jo vetëm i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar, por dhe akcizës;
– Krijon idenë e një përjashtimi me natyrë klientiste dhe preferenciale, sepse përjashton jahtet dhe mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi;
– Është një veprim, i cili zvogëlon më tej bazën tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar;
– Nuk është në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re