Përkeqësimi i motit dhe ulja e temperaturave ka rikthyer reshjet e dëborës edhe në zonat malore të juglindjes. Më të dendura reshjet kanë qënë në aksin rrugor Boboshticë – Dardhë ku trashësia e dëborës ka shkuar nga 5-10 cm.

Dëborë ka pasur edhe në fshatrat e Devollit të Sipërm ashtu siç ka patur reshje edhe në aksin rrugor Vithkuq – Shtyllë.

Gjithashtu, mëngjesin e kësaj të marteje dëborë ka pasur edhe në fshatrat e njësisë administrative Voskopojë e Lekas.

Burime zyrtare bëjnë me dije se qarkullimi i mjeteve është pa probleme ndërkohë që autoritetet këshillojnë drejtuesit e mjeteve që përdorin aksin rrugor të Dardhës, Vithkuqit e Voskopojës të jenë të pajisur me goma dimërore.

Burime zyrtare pranë OSSHE thanë se pa energji elektrike janë fshatrat e Buzaishtës dhe Homazh të njësisë administrative Velcan ashtu siç ka mungesë të energjisë elektrike në Shtyllë të Korçës.

Grupet e OSSHE po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike në këto fshatra.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re