Në një kohë kur naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e dhjetë të grevës së tyre të urisë, gjendja e tyre sa vjen dhe përkeqësohet, ndërkohë që janë lënë totalisht në mëshirë të fatit nga ana e qeverisë shqiptare.

Naftëtarët mëngjesin e sotëm kanë refuzuar që të marrin shërbimin shëndetësor, ndërsa shprehen se kanë humbur çdo lloj besimi te shteti shqiptar, e për këtë shkak do ti drejtohen tani e tutje vetëm ambasadave të akredituara në vendin tonë.

Njëri prej grevistëve Jonuz Muçaj është çuar me urgjencë drejt spitalit të Ballshit, pasi edhe pse ka probleme me hipertensionin, nuk ka pranuar që të largohet nga greva e urisë.

“Kanë thyer çdo lloj besimi te ne, kanë lënë një afat që ne të marrim pagat dhe nuk e kanë zbatuar.

Duke parë që politika nuk reagon do ti drejtohemi ambasadave. Nëqoftë se deri dje ne kërkuam marrjen e tre pagave që të largoheshim nga greva, tashmë kërkojmë të gjitha pagat, dhe rinisjen e punës në Rafineri.

Po na bëjmë të marrim rrugët e Europës pasi këtu shohim se nuk ka zgjidhje”, shprehet njëri prej naftëtarëve.

Gjatë ditës së djeshme naftëtarët tentuan që të hynin në Uzinë por u ndaluan nga grupi negociator, me premtimin se deri ditën e sotme do tiu kalonin 3 paga në bankë nga ana e kompanisë, gjë që nuk ndodhi.

Të dielën një naftëtar humbi jetën në Ballsh, menjëherë pas një proteste në rrugët e qytetit, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk ka pasur asnjë dëgjesë publike me këta qindra punonjës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re