Indeksi për lirinë e shtypit në botë për vitin 2020 e rendit Shqipërinë me dy vende më pak duke kritikuar sulmet ndaj gazetarëve dhe paketën antishpifje.

“Në vitin 2019, qeveria me justifikimin për të kontrolluar lajmet e rreme, u përpoq të kontrollonte mediat në vend. E ashtuquajtura paketë anti-shpifje u votua nga Kuvendi në muajin dhjetor. Kjo paketë ligjore rrit censurën dhe i bën gazetarët më të prekshëm nga presioni i qeverisë. Zbatimi i plotë i këtyre ligjeve do të përkeqësojë më shumë situatën e lirisë së medias në një vend, ku qeveria në mënyrë të rregullt ndalon aksesin e gazetarëve në informacionin zyrtar dhe kontrollon tregun e televizioneve përmes shpërndarjes së licensave të transmetimit”.

Më tej, organizata Reporterët pa Kufij ka kritikuar qeverinë për përdorimin e tërmetit të 26 nëntorit si një justifikim për të arrestuar dhe burgosur gazetarët, duke penguar kështu lirinë e medias.

Në raport thuhet se dy gazetarë dhe aktivistë u arrestuan për përhapje të lajmit të rreme dhe mediat online kritike ndaj qeverisë u mbyllën.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar duke thënë se ndihet thellësisht i shqetësuar nga regresi i Shqipërisë vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias.

“I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik, të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit. Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”

Kreu i shtetit thekson se regresi në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së medias është i papranueshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re