Megjithse në Shqipëri ka hyrë në fuqi akti normativ i miratuar nga qeveria shqiptare që përcakton se barriera mbrojtëse ose maska është e detyrueshme të përdoret jashtë shtëpisë, situata e të prekurve më koronavirues vazhdon të rritet dita-ditës.
Qytetarët në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë në zbatim të aktit normativ që u miratua më 12 tetor dhe që nuk përcakton ndonjë afat, më 15 tetor kanë filluar të përdorin maskën pothuajse në çdo ambient.
Sipas udhëzuesit të Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë (ISHP) mbi “përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet jashtë shtëpisë”, një masë e tillë është vendosur me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të koronavirusit të ri.
Sipas udhëzimit, maska duhet të mbahet nga çdo individ mbi moshën 11-vjeç gjatë gjithë veprimtarisë jashtë banesës.
Qytetarët duhet të mbajnë maskën gjatë ecjes në rrugë, gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura si në park apo sheshe, në çdo dyqan apo aktivitet tregtar, në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jo publik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit.
Gjithashtu maska duhet të mbahet edhe në ambiente të tjera, si përpara dhe pas konsumit të ushqimit në bare dhe restorante, në të gjitha institucionet fetare dhe në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor, sipas protokolleve shëndetësore.
Vendosja e maskës nuk mund të jetë e mundur në çdo situatë, prandaj janë përcaktuar disa raste kur do të lejohet të hiqet ajo apo të modifikohet përdorimi i saj, si nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë dhe gjykatë dhe gjatë disa aktiviteteve të tjera.
Udhëzuesi i miratuar përcakton edhe rastet përjashtimore të përdorimit të maskës, konkretisht në të gjitha rastet kur përdorimi i saj dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes, nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës, nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë apo motoçikletë dhe në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.
Në lidhje me monitorimin dhe respektimin e masës në fjalë do të angazhohen edhe strukturat e policisë, të cilat fillimisht do të sensibilizojnë qytetarët për përdorimin e maskave, ndërsa do të zbatohen edhe gjoba në rast të moszbatimit.
Përveç përdorimit të maskës, vazhdon të mbetet në fuqi edhe masa për ndalimin e grumbullimeve masive, si në teatro, në aktivitetet kulturore dhe sportive dhe klubet e natës.
Drejtoresha e ISHP, Albana Fico në një deklaratë së saj ka rikujtuar qytetarët se mbajtja e maskës është e detyrueshme në çdo ambient jashtë shtëpisë dhe mos zbatimi i kësaj masë do të ketë penalitete sipas Aktit Normativ me 3 mijë lekë për shkelësit për herë të parë, dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur…
Ndërsa, Kryeministri Edi Ramafalënderoi qytetarët për respektimin e aktit normativ për mbajtjen e maskës në çdo ambient jashtë shtëpisë.
Kreu i qeverisë shprehet se më mirë taksirati i maskës se sa mbyllja prapë në shtëpi për javë të tëra.
“Super reagim sot me maskat edhe në rrugë, rrofshi, rrofshi, rrofshi, ju dua shumë. Njësoj si ju, kur vura maskën sot sa dola u mërzita pak, po më mirë taksirati i maskës, se sa taksirati i mbylljes prapë në shtëpi me javë të tëra, prandaj faleminderit për mirëkuptimin dhe mbani maskën sapo dilni nga shtëpia”, – tha Rama.
Qytetarë të moshave të ndryshme janë të pajisurme maska, në të gjitha ambientet jashtë shtëpisë, duke respektuar kështu Aktin Normativ për mbajtjen e maskës.
Qytetarë të ndryshëm, të cilët u shprehën pro vendimit të mbajtjes së maskës kanë respektuar vendimin duke ecur të pajisur me maskë.
Gjatë prononcimeve mediatike, qytetarët edhe pse kanë pak vështirësi në mbajtjen e maskës gjatë gjithë kohës, mendojnë se kjo është një mënyrë e mirë për t’u mbrojtur nga virusi, veçanërisht në këto kohë kur shifrat e të infektuarve janë gjithnjë e në rritje…
Nga ana tjetër, vendimi i qeverisë për mbajtjen e maskave edhe në ambiente të hapura është shoqëruar edhe me kundërshtime, pasi në Tiranë është mbajtur një protestë për të kundërshtuar këtë masë.
Disa qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë në Tiranë ndërkohë, protesta është shoqëruar edhe me përplasje me forcat e policisë.
Për shkak se janë të ndaluar tubimet me pjesëmarrje masive të qytetareve, forcat e policisë kanë ndërhyrë për shpërndarjen e protestës, duke shoqëruar edhe disa protestues.
Sipas qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, “askush nuk mund të detyrohet të mbajë maskë kundër vullnetit të tij”. Protestuesit në mënyrë simbolike kanë djegur maskat.
