Situata aktuale ekonomike në Shqipëri është përkeqësuar në raport me vitin e shkuar, sipas perceptimit të bizneseve gjermane që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë.

Sipas një ankete të realizuar nga Dhoma gjermane e Tregtisë dhe Industrisë, në optikën e 45% të bizneseve të pyetura, situata është keq, ndërkohë që një vit më parë ishin 42% e sipërmarrjeve që e mendonin kështu.

Në aktivitetin e tyre bizneset po i pengon mungesa e fuqisë punëtore, çmimet e energjisë elektrike dhe të lëndëve të para, si edhe kursi i këmbimit, i cili në muajt e fundit ka qenë i paqëndrueshëm.

Ndërkohë, pavarësisht se ka një përmirësim të lehtë nga viti i shkuar, bizneset vijojnë të jenë të shqetësuara për mungesën e transparencës në tenderat publikë dhe luftën ndaj krimit e korrupsionit, ndërsa të pakënaqur i bën edhe ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit tatimor.

 

PETER ZINGRAF

AMBASADOR I GJERMANISE, TIRANE

“Klima e biznesit në Shqipëri mbetet pesimiste. Nevojiten përmirësime, transparencë ligjore, konkurrencë e ndershme në prokurimet publike si edhe fuqi punëtore e kualifikuar. Shqipëria po ecën përpara, Gjermania do ta mbështesë si nga ana politike, ashtu edhe në politikat zhvillimore të arsimit e investimeve.”

 

Ambasadori gjerman bëri një koment të shkurtër edhe për rritjen e shumëdiskutuar të pagave të deputetëve.

 

PETER ZINGRAF

AMBASADOR I GJERMANISE, TIRANE

“Është një çështje delikate sepse njerëzit mendojnë po ata që na ruajnë, kush i ruan? Unë nuk dua të përzihem, por mendoj se deputetët duhet të paguhen në mënyrë dinjitoze, që të bëjnë një punë të mirë. Është i rëndësishëm edhe niveli i përgjithshëm i pagave në Shqipëri dhe fakti që ka nisur rritja e tyre, për të frenuar emigracionin.”

 

Sipas ambasadorit gjerman, Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagave në rajon, ndaj vlerëson iniciativën e qeverisë për të rritur pagën mesatare në 900 euro deri vitin tjetër.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re