Arjan Curi e vlerëson prezencën dhe qëndrimin e presidentit Ilir Meta këtë të premte në zyrat e FRD, ku pati përplasje me Policinë Bashkiake.

Curi thotë se presidenti ka të drejtë të shkojë ku të dojë, ndërsa dënon shtyrjen që iu bë Metës, duke thënë se presidenti në vetvete është i paprekshëm dhe kush e prek atë, sipas tij, prek Republikën.

“Unë kur e pashë videon u ndjeva i emocionuar, u përfshiva emocionalisht, pozitivisht, dhe nëse do isha aty do isha edhe unë bashkë me presidentin. E para.

E dyta u ndjeva i ofenduar që një nga ata injorantët aty e shtyn presidentin, e prek, presidenti është i paprekshëm, nuk preket.

Në momentin që shtyhet presidenti dhe preket, preket dhe shtyhet republika. Ai sigurisht që ka të drejtë të shkojë ku të dojë, sipas vullnetit të tij të lirë dhe të mbështesë njerëzit dhe qytetarët e këtij vendi sa herë që ia kërkojnë ose dhe ndoshta kur e shikon vetë që gjatë kalimit të tij bëhet një padrejtësi.

Unë u kënaqa që e bëri sepse… nuk ka rëndësi nëse u provokua, ishte aty, e thirrën, qëlloi, vajti kastile, e bëri, i dha një akt të fortë simbolik zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe rregullave”.

I pyetur nga Arian Çani nëse “ky pushtet pjerdh për këto gjëra”, Curi thotë:

“Nuk ka rëndësi, ai bën punën e tij, domethënë Presidenti bën reagimin e tij, sepse po thamë nuk pyesin këta, atëherë që të gjithë të rrimë në shtëpi, të paktën presidenti sot na dha një shembull që njerëzit duhet të reagojnë, duhet të lëvizin.

Këto ditë Athina dhe Selaniku është djegur i gjithi, sepse një polic rrahu një protestues, vetëm për kaq. Kurse këtu bëhet nami, vriten e bëhen, njerëzit tallen në rrugë e shtyhen, ka situata pafund, dhe njerëzit rrinë, thonë të shikojmë punën tonë, ç’na duhet ne. Por me këto një regjim zgjatet dhe bëhet më i fortë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re