Në Kudsin Lindor të pushtuar shpërtheu një përleshje mes forcave izraelite dhe të rinjve palestinezë që kundërshtuan prishjen e shtëpive të tyre.

Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarët okularë, forcat izraelite kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe bomba të zëshme ndaj të rinjve palestinezë në lagjen Jabal al-Mukebber të Kudsit Lindor.

Të rinjtë palestinezë, të cilët bllokuan rrugët e lagjes duke djegur kontejnerë plehrash dhe goma, i janë përgjigjur ndërhyrjes së forcave izraelite edhe duke hedhur gurë.

Tregtarët në lagje gjithashtu hynë në një grevë njëditore për të protestuar ndaj politikës izraelite për prishjen e shtëpive të tyre me pretendimin se ato ishin “të palicensuara” dhe të mbyllura.

Më 29 janar, forcat izraelite rrënuan shtëpinë e një palestinezi në lagjen Jabal al-Mukebber, duke pretenduar se ishte pa leje.

Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, njoftoi se ai kishte urdhëruar prishjen e 14 shtëpive palestineze në Kudsin Lindor me të njëjtin arsyetim.

Vlen të përmendet se vendimi i Ben-Gvir erdhi pas tensioneve në rritje në Jenin dhe Kudsin Lindor.

Ndërsa Izraeli shkatërron shtëpitë dhe strukturat palestineze në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor, të cilët i pushtoi në vitin 1967, me arsyetimin se ato janë “pa leje”, përpjekjet palestineze për të marrë leje shpesh dështojnë për shkak të praktikave penguese të autoriteteve izraelite.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re