Drafti paraprak i Kodit të ri Penal nuk do të tolerojë autorët e dhunës, duke mos i lejuar ata të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, ndërsa nga ana tjetër do të lejojë zëvendësimin e ditëve të dënimit për disa vepra penale me pagesën e një shume parash që parashikohet në vlerën e 6 mijë lekëve në ditë.

 

Por kjo nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e viktimës apo të prokurorit.

 

Ish-prokurori Besnik Muçi thotë se me propozimet e deritanishme kodi ndryshon më shumë se 50 për qind.

 

BESNIK MUÇI

AVOKAT, ISH-PROKUROR

Një fakt që më ka bërë përshtypje është që kodi i ri penal do të ketë 800 e ca dispozita, 850 dispozita, ndërkohë që kodi aktual ka diku te 340-350 dispozita.

 

Avokati Arbër Hoxha, ngre problemin se ashpërsimi i Kodit do të rrisë edhe më shumë vlerën e pagesave korruptive, përpara se të zgjidhë problemin e kriminalitetit.

ARBËR HOXHA

AVOKAT

Domosdoshmërisht dënime më të rënda do të thotë pagesa më të mëdha për gjyqtarët dhe prokurorët, fatkeqësisht. Absolutisht nuk ka sjellë rënien e kriminalitetit.

 

Sipas ish-prokurorit një dispozitë e diskutueshme është edhe ajo për dhënien e dënimit të padrejtë nga gjykata, e cila më herët është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

 

BESNIK MUÇI

AVOKAT, ISH-PROKUROR

Unë mendoj se kjo dispozitë e cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë Kushtetutën e Shqipërisë, cenon parimin e ushtrimit të ndarjes së pushteteve dhe parimin e ushtrimit të pavarur të pushtetit gjyqësor.

 

Një tjetër sferë që ekspertët e shohin të rëndësishme për të ndryshuar janë masat shtrënguese të sigurisë, sikundër nuk ka pse të kriminalizohen kundravajtjet administrative, siç është edhe parakalimi i gabuar.

 

ARBËR HOXHA

AVOKAT

Çdo person që mbahet me masë sigurimi arrest në burg ose mbahet i dënuar, një qytetari të republikës së Shqipërisë i kushton 7800 lekë nga taksat e veta apo rreth 80 mijë lekë të vjetra në ditë. Nuk ka nevojë që parakalimi i gabuar që parashikohej si kundravajtje administrative të vendosen në Kodin Penal. Kjo është e turpshme, alogjike.

 

Një propozim tjetër është edhe dekriminalizimi i substancave narkotike. Kështu nëse një person kapet me 10 grame hashash dhe provohet se sasia është për përdorim vetjak, ai nuk do të dënohet. I njëjti ndryshim vlen edhe për heroinën, por sasia që nuk do të përbëjë vepër penale, do të jetë deri në 4 gram.

 

Megjithatë, drafti final pritet t’i dorëzohet Ministrisë së Drejtësisë në 30 shtator.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re