Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një vizitë në një shtëpi në Muriqan e prekur nga përmbytjet.

Gjatë fjalës së saj me banorët, Kryemadhi tha se shteti për njerëzit që ju merr taksa duhet të tregojë minimumin e respektit dhe jo t’i lërë në mëshirë të fatit.

“Unë kam qenë në Lezhë në mëngjes, isha në Laç te një fermer dhe kudo e njëjta histori, ku gjithsecili thotë që nuk është problemi i përmbytjes nga reshjet, por se po përmbyten nga shkarkimet. Mungesa e funksionimit, e menaxhimit, e përgatitjes në fund të fund shteti përse është?

Shteti përgjigjet qoftë edhe për një qytetar të vetëm. Ti mund të kesh pak banorë dhe nga ana financiare ndoshta ty s’të leverdis, por Lumin e Bunës do ta pastrosh, argjinaturat do t’i mirëmbash, sepse ti nëse nuk paguan dritat këtu, ai të vjen me vrap dhe të thotë: Pse s’e pagove?

Edhe pse je një person dhe harxhon shumë pak.
Ne jemi shumë dakord që shteti me taksa mbahet, por kur shteti taksat tona i përdor për të ngrënë dhe për të pirë rrugëve të botës ministrat, normal që s’kam pse të paguaj taksa. Unë nuk mund të them që mes një pensionisti me një pension social që është vetëm 70 mijë lekë të vjetra, çfarë do të bëjë më parë ai?

A do paguajë dritat?

A do të paguajë ujin?

A do ushqehet? Kur ti ke minimumin e ndërgjegjes që një familje në fshat me 70 mijë lekë të vjetra do paguajë dritat, ujin, ilaçet, do të paguajë taksën e tokës që është e përmbytur. Ne e dimë që gjërat nuk ndryshohen me një të rënë të lapsit.

Ne e dimë që është shumë e vështirë për të ndryshuar shumë gjëra. Por më e pakta është se njerëzit kanë nevojë për të parë pak respekt, një dëshirë të mirë që ti ke dëshirë ti ndihmosh sepse nuk të kushton asgjë ti paraprish disa gjërave.

Sepse çfarë ka ndodhur? Ajo që ka ndodhur është si rezultat i faktit se ne nuk menaxhojmë atë që duhet. Ne kemi meteorologë, kemi inxhinierë, kemi njerëz të cilët e parashikojnë çështjen e përmbytjeve.

Ndodh që ai e parashikon përmbytjet para se të fillojnë reshjet. Merr masat për hidroforët, sepse meteorologjia është shkencë nuk është fall, me të cilën njerëzit kanë parashikuar tërmetet, stuhitë, kanë parashikuar ditët më diell, kanë parashikuar thatësirat etj. Pra, ti e ke të ndërtuar si institucion, por ne i kemi shkatërruar institucionet, i kemi kthyer në struktura militante,”-u shpreh Kryemadhi.

“Edhe ne si politikë kemi fajet tona, se me thënë të drejtën edhe ne kur vijmë këtu tek ju, e kemi një lloj peshë barre mbi supe, se s’mund të themi që ne nuk jemi fajtorë. Problemi pra është zbatimi i ligjit me dy standarde.

Qytetarin ti e merr dhe e plas brenda në birucë, ndërsa atë tjetrin që është i lidhur me ty e lejon të vjedhë. A ka mundësi për të ndryshuar? Sigurisht që po, ka mundësi pa fund. E rëndësishme është ta kuptosh dhe mos të bësh më gabim.

Edhe unë kam bërë gabime. A ka mundësi ta përmirësoj? Po kam mundësi ta përmirësoj, për t’iu dhënë shansin dhe mundësinë të rinjve dhe të rejave për t’u dhënë shansin të drejtojnë.

Ju thatë që kam ngelur me gruan në shtëpi se fëmijët më kanë ikur në emigracion. Po nuk ka gjë më të keqe. Unë jam nënë vetë dhe e di ç’do të thotë kjo gjë”,- tha  Kryemadhi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re