Situata e vështirë e motit ka sjellë problematika për qytetarët anenkënd rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në disa zona, për shkak të reshjeve, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Rreth 45 mijë familje në Bosnjë dhe Hercegovinë mbetën pa energji elektrike për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Autoritetet lokale po raportojnë probleme të shumta në mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve në kryeqytet, ku një grua vdiq pasi pësoi lëndime të rënda në kokë nga rënia e një peme për shkak të rëndesës nga dëbora.
Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen edhe nga Serbia, ku kushtet e këqija të motit po shkaktojnë vonesa edhe në trafikun ajror.
Krahas reshjeve të dëborës në Malin e Zi, vijon të përkeqësohet situata me përmbytjet nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë sjellë rrugë të pakalueshme dhe dëme në bujqësi.
Rrugët janë të kalueshme, por këshillohet të përdoren goma dimërore.
Serbia ka parë më shumë se 25 centimetra borë në disa zona që nga e diela. Rrugët kryesore janë kryesisht të kalueshme, por trafiku i kamionëve është i ndaluar në disa pjesë të vendit.
Në Kroaci ka patur erëra te forta përgjatë bregdetit me fuqinë e një uragani. Për shkak të shirave të rrëmbyeshëm situata është e vështirë edhe në Dubrovnik, ku uji përmbyti anijet.
Situata është e vështirë edhe në kryeqytetin Zagreb, ku ra një sasi e madhe bore, gjë që e vështirësoi lëvizjen e makinave dhe transportit publik. Në rrugë ka borë të ngjeshur e të lagësht, ndërsa për shkak të temperaturave të ulëta, është e mundur të krijohet akull. Bashkëqytetarëve të moshuar me vështirësi në lëvizje, u kërkohet të shmangin lëvizjen derisa kushtet e motit të normalizohen plotësisht.
Rrugët po pastrohen dhe spërkaten me kripë, por trafiku është ngadalësuar. Administrata e Zagrebit u kujtoi qytetarëve që të pastrojnë trotuaret para hyrjeve të tyre përpara se temperaturat të bien më tej.
Në disa zona, rrugët janë pothuajse tërësisht nën ujë, gjë që e vështirëson trafikun si dhe lëvizjen e automjeteve. Ka edhe vonesa në trafikun hekurudhor.
Në Rijekë, Istria dhe Dalmaci dhe anasjelltas mund të qarkullojnë vetëm makinat e pasagjerëve ndërsa janë bllokuar kamionët me rimorkio.
Ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta në motin e ftohtë të dimrit mund të shkaktojë efekte të dëmshme për shëndetin dhe të çojë në lëndime, ngrirje dhe hipotermi të përgjithshme të trupit që mund të jenë fatale për jetën, sipas një deklarate publike nga Instituti Kroat i Shëndetit Publik.



