Të paktën 47 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Filipine të shkaktuara nga shirat e dendur ndërsa vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit për dhjetëra persona të zhdukur.

Autoritetet njoftuan se 42 persona humbën jetën në përmbytjet ose rrëshqitjet e dheut që shkaktuan shirat e dendur të cilat vazhduan deri dje në tre zona të qytetit Maguindanao.

Në anën tjetër bëhet e ditur se 5 persona kanë humbur jetën në zona të ndryshme për shkak të stuhisë tropikale Nalgae e cila në orët e para të këtij mëngjesi ka vënë nën ndikimin e saj qytetin Camarines Sur në lindje të vendit.

Gjithashtu mendohet se dhjetëra shtëpi kanë mbetur nën ujë dhe rreth 60 persona kanë mbetur nën rrënoja pas rrëshqitjeve të dheut në një fshat në zonën Datu Odin Sinsuat në Maguindanao.

Ndërkohë vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit për banorët të cilët kanë mbetur nën rrënoja.

Në vitin 2013 mbi 6 mijë persona humbën jetën dhe shkatërrime të mëdha ndodhën për shkak të tajfunit Haiyan në Filipine ku çdo vit regjistrohen mesatarisht 20 stuhi dhe tajfune.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re