Pas shirave të dendura gjatë mesnatës është përmbytur pjesërisht qyteti i Laçit.

Qindra hektarë tokë dhe banesa janë nën ujë pasi ka dalë nga shtrati edhe përroi që ndodhet brenda qytetit. Niveli i ujit ka arritur deri në 30 centimetra.

Shkak për daljen e përroit nga shtrati, përveç reshjeve të dendura janë edhe ndërtimet pa leje në shtratin e tij.

Dhe pse ky përrua ka shkaktuar shpesh përmbytje që kanë sjellë dëme të mëdha në bizneset e banesat e qytetit, askush nuk ka ndërhyrë gjatë gjithë këtyre viteve për rehabilitimin e tij dhe për prishjen e objekteve pa leje.

Kujtojmë se para disa vitesh ky përrua mori me vete një makinë në të cilën ndodheshin babë e bijë të cilët humbën jetën dhe u gjetën rreth një kilometër nga vendi ku i mori uji.

Qytetet që janë prekur më shumë nga shirat dhe moti i furishëm janë Tirana, Fushë Kruja, Lezha, Durrësi dhe Vlora.

Katet e para të pallateve dhe shumë nga lokalet e kryeqyteti janë përmbytur. Nën ujë ndodhet edhe autostrada Tiranë-Durrës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re