Koreja e Veriut mund të ketë ekzekutuar zyrtarë të shumtë për dëmet nga përmbytjet në korrik, që shkatërruan mijëra shtëpi dhe kanë lënë deri në 1500 të vdekur ose të zhdukur, sipas inteligjencës koreano-jugore.
Shërbimi i inteligjencës kombëtare i Koresë së Jugut ka thënë se i ka monitoruar nga afër shenjat ,dhe se regjimi kishte kryer ekzekutime, pasi udhëheqësi diktatorial, Kim Jong-un, kishte deklaruar se “do të dënoheshin rreptësishtë” përgjegjësit, shkruan The Guardian.
Shiu i dendur dhe përmbytjet goditën provincat veriore të Jagang dhe Pyongan, duke shkatërruar mijëra hektarë tokë bujqësore dhe duke zhvendosur mijëra njerëz.
Nuk është vërtetuar nëse ekzekutimet janë kryer, ndërsa agjencitë e spiunazhit të Koresë së Jugut thanë se kanë gjetur “shenja” se një gjë e tillë është kryer, por pa dhënë detaje.
“Rreth 20 deri në 30 drejtues u akuzuan për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ata janë dënuar me dënim me vdekje”, ka raportuar TV Chosun, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të Koresë së Veriut.
Zyrtarët e ekzekutuar mund të kenë përfshirë Kang Pong-hun, i cili më parë ishte kryesekretari i komitetit provincial Jagang i partisë në pushtet.
Kang dhe zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë ministrin e atëhershëm të sigurisë publike, Ri Thae-sop, u shkarkuan gjatë takimit të Byrosë Politike në fund të korrikut, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve.
Kim ishte fotografuar në një gomone duke marrë pjesë në përpjekjet për lehtësimin e situatës pas përmbytjeve.