Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehu solidaritet e mbështetje pas përmbytjeve të ditëve të fundit në vendin fqinj, Greqi.

Këto përmbytje të mëdha e shkatërruese në disa rajone të Greqisë kanë shkaktuar humbje jetësh dhe dëme të mëdha.

“Lutemi për jetët e humbura, familjet e tyre dhe shprehim solidaritetin tonë me të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore”, tha Balla.

Ndërkohë ai bën me dije se ambasada e RSH-së në Athinë ka njoftuar qytetarët që ndodhen në zonat e prekura, se mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me Njësinë për Menaxhimin e Emergjencave Civile të Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile në numrin e aktivizuar të telefonit 112, i cili është vënë në dispozicion të shtetasve që kanë nevojë për ndihmë.

Ministri komunikoi dhe një rrugë tjetër komunikimi nëse ka qytetarë shqiptarë në Greqi, në nevojë apo të prekur nga kushtet e vështira të motit.

“Iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të prekur nga përmbytjet në zonat problematike të Greqisë se për çdo nevojë t’i drejtohen Ambasadës Shqiptare përmes numrit të emergjencës 𝟎𝟎𝟑𝟎-𝟔𝟗𝟒𝟏𝟔𝟓𝟖𝟏𝟖𝟑, në dispozicion të qytetarëve 𝟮𝟰/𝟳 dhe në adresën [email protected]”, citohet Ministri Balla.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re