Disa forca dhe mjete të Forcave të Armatosura janë vendosur në Kukës për të qenë në gatishmëri dhe për të ndërhyrë në Kosovë nëse do të ketë përkeqësim të situatës nga përmbytjet. Lajmin e ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka ndarë dhe një video në Facebook.

“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës.

Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, ka shkruar Peleshi. Kujtojmë që pak ditë më parë, pas tërmetit që ra në Klos, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj kontaktoi Peleshin duke shprehur gatishmërinë për të ardhur në ndihmë me të gjitha kapacitetet nëse është e nevojshme.

Disa qytete në Kosovë u përballën me vërshime si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Qyteti më i prekur nga vërshimet sipas raportimeve është Skenderaj, ku autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente. Probleme ka pasur gjithashtu dhe në Vushtri, Pejë dhe në disa zona të tjera të vendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re