Situata e krijuar në vend si pasojë e përmbytjeve ka sjellë reagimin e presidentit Ilir Meta.

 

Kreu i shtetit thekson se problematik paraqitet fakti se ashtu si në të kaluarën, Autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM.

 

Postimi i Metës:

Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar, si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokura nga reshjet e borës.

Jam informuar se situata paraqitet më problematike në Qarkut e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë.

Përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara.

Gjithashtu në Veri, Veri-Lindje dhe Jug-Lindje të vendit shumë zona rezultojnë sot të bllokuara nga reshjet e shumta të borës.

Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM, që prej ditesh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit.

Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re