Situata e krijuar nga reshjet e dendura dhe moti i keq në veri të vendit, është drejt përmirësimit.

 

 

Kështu ka deklaruar zëvendës Ministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari në një intervistë të shkurtër për Vizion Plus.

 

 

“Sipas informacioneve të fund, gjendja në qarkun e Shkodrës ku. ka qenë më e rëndë ditën e djeshme ka ardhur drejt përmirësaimit. E gjithë Ministria e Bujqësisë ka qenë e instaluar në terren në të gjitha zonat për të marrë informacionet lidhur me problematikat kryesore, hidrovoret, nivelin e lumenjve, kanalet e ujrave të bardha, gatishmërine e eskavatorëve në terren e të gjitha strukturat tona.”

 

 

Më tej zv.Ministri Jaupllari theksoi se ujrat po tërhiqen nga tokat bujqësore dhe nuk përbëjnë problem për të mbjellat e stinës. Ai bëri me dije gjithashtu se janë evakuar edhe tufa me kafshë të imëta në zonat e mbuluara nga uji.

 

 

Sa i përket akseve rrugore, Jaupllari tha se në terren ndodhen 25 eskavator të cilët janë dërguar në pikat problematike. Momentalisht nuk ka asnjë rrugë të pakalueshme.

 

 

“Informacioni i orëve të fundit është që, janë përmbytur rreth 2000 hektarë në Shkodër e Lezhë. Janë ujëra që do të tërhiqen menjëherë pas pushimit të reshjeve dhe nuk përbëjnë problem për të mbjellat në kulturat e stinës.  Sa i përket akseve të bllokuara, kanë qenë më shumë në Malësi të Madhe e në Vaun e Dejës ku po punojnë 25 eskavatorët dhe tashmë të gjitha rrugët janë të hapura.”

 

 

Zv.Ministri i Bujqësisë tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri edhe për reshjet që priten në dy ditët e ardhshme.

 

 

Sipas tij, puna është përqëndruar në 29 hidorovorët në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Energjitikës.

 

 

Me vëmendje po shihet edhe argjinatura në Shirgjan e cila shërben si mbrojtëse e nivelit të ujit për të ruajtur nga përmbytjet deri në derdhjen e lumit Buna.

https://berati.tv/wp-content/uploads/2023/02/makina-me-qera.png