Qeveria i është rikthyer edhe një herë reformës së rregullimit, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Deri më tani janë 835 shërbime që jepen ndaj sipërmarrjes, shifër kjo që shoqërohet me një kalvar dokumentesh, që i marrin biznesit kohë dhe para. Ministrja e shtetit për sipërmarrjen, në një intervistë për emisionin E-ZONE në Vizion Plus Delina Ibrahimaj, tha se të gjitha shoqatave i është dërguar një pyetësor për të mbledhur problematikat e tyre dhe më pas fokusimin për zgjidhjen.

 

“Derrregullimi vërtet ka kohë që ka nisur, por ai nuk është një proces që ka një afat. Nuk ka një fillim dhe një mbarim. Është një proces në vijimësi.  Qëllimi ynë këtë herë është që të ndjekim zbatueshmërinë e atyre masave që janë marrë, por dhe të shkojmë më tej  me lehtësim të mëtejshëm të procedurave. Këtë do ta bëjmë me biznesin. Më pak leje dhe burokraci, do të thotë më pak ankesa për biznesin. Në do të kalojmë në sitë të gjithë sektorët”,- tha Ibrahimaj në E-ZONE.

 

Por komuniteti i biznesit, duket se ka të njëjtat kërkesa ndër vite, pasi rekomandimet e tyre shpërfillen nga qeveria.

 

“Ne i mirëpresim nisma të tilla, edhe pse po zhvillohen për të disatën herë. Klima e të bërit biznes tek ne ka vend shumë për përmirësime. Ne duam që konsultimet publike të kenë vërtet vlerë. Mjafton t’ju them që kompanitë gjermane kanë më shumë prezencë në vendet e rajonit sesa në Shqipëri. Kaq mjafton për të thënë që nuk jemi aty ku duhet krahasuar me vende të ngjashme”, -shprehet Bledar Mankollari nga dhoma gjermane e tregtisë në emisionin E-ZONE.

Mungesa e qartë e titujve të pronësisë, korrupsioni si dhe praktikat antikonkurruese  apo monopolistike janë disa nga kërkesat që artikulohen çdo vit nga biznesit ndaj qeverisë

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re