Bashkimi Evropian që në krijimin e tij ka treguar angazhim në njohjen dhe garantimin e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat. I pari dokument që garanton pagë të barabartë miratuar nga BE në vitin 1975 është Direktiva “Mbi mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat”, sipas të cilit përcaktohet ‘pagë e barabartë për punë të barabartë dhe për punë me vlerë të barabartë’ për të dyja gjinitë. Më pas, në Traktatin e Maastrihtit  dhe atë të Amsterdamit, barazia gjinore në tregun e punës u deklarua prioritet parësor i Unionit. Traktati i Amsterdamit i miratuar në 1999 nga vendet anëtare të BE formalizoi në nivel europian konceptet e barazisë gjinore, perspektivës gjinore dhe  mundësive të barabarta për gratë dhe burrat. Në një nga dokumentat Traktati i të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian garanton si një parim themelor barazinë midis burrave dhe grave.

Promovimi i mundësive të barabarta gjinore është një element qendror jo vetëm në politikat sociale por edhe ato ekonomike të BE-së dhe shteteve anëtare. Në vitin 2006, KE hartoi një dokument në të cilin rendiste veprimet konkrete që duhet të ndërmerrte BE deri në vitin 2010 për të zvogëluar hendekun ekzistues ndërmjet dy gjinive nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit të brendshëm dhe krijimi i institucione të veçanta që trajtojnë barazinë gjinore. Në vitin 2006 u krijua për herë të parë Instituti Europian për Barazinë Gjinore dhe u miratua një plan i përbashkët për integrimin e qytetarëve të vendeve jo-anëtare, ku hyn edhe Shqipëria, që synon t’i ndihmojë këto vende veçanërisht për menaxhimin e fenomeneve të emigrimit, trafikimin e qenieve njerëzore, punësimin e detyruar etj..

Edhe Shqipëria në këto vite ka bërë një progres të vërtetë përsa i përket hartimit të legjislacionit që njeh dhe garanton të drejta të barabarta mes grave dhe burrave, duke hedhur hapa drejt arritjes së barazisë gjinore. Legjislacioni shqiptar bazohet në standardet e vendeve me demokraci të zhvilluar. Ligji i parë që sanksionon barazinë gjinore ka qenë ligji “Për Barazinë Gjinore”, miratuar në korrik të 2004-ës. Ligji u përqendrua në vendosjen e barazisë ndërmjet dy sekseve në fushën e punësimit, arsimit, vendimmarrjes, kundër diskriminimit dhe ngacmimeve seksuale, si dhe sanksionet në rast të konstatimit të shkeljes së këtyre të drejtave. Tre vite më vonë, në vitin 2017, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e institucioneve, shoqërisë civile, grupeve të interesit, medias, u hartua Strategjia e Barazisë Gjinore dhe Kundër Dhunës në Familje dhe Plani për Veprimit, të cilat u miratuan po atë vit. Strategjia dhe Plani i Veprimit  detajuan hapat që institucionet publike dhe shoqëria civile do të ndërmerrnin për të arritur barazinë gjinore. Si dokumenti i parë strategjik në këtë fushë, ky dokument kishte edhe mangësitë e veta si mostrajtimi i fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore, mos-përcaktimi i saktë i rolit dhe përgjegjësive të çdo institucioni për implementimin e Strategjisë dhe, mbi të gjitha, ashtu siç ndodh rëndom me dokumentat strategjike në Shqipëri, mos buxhetimi i Plan Veprimit. Këto mangësi bënë që kjo Strategji të mos ia dilte të sillte ndryshimin e pritur dhe të pretenduar prej hartuesve të saj.

Në këtë periudhë Shqipëria u tregua shumë aktive në njohjen dhe ratifikimin e shumë dispozitave  Ndërkombëtare si ratifikimi i CEDAË-it dhe Kartës Sociale Europiane, edhe Marrëveshja Bazë midis Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian mbi parimet e përgjithshme për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programet e Komunitetit, të cilat u bënë pjesë e legjislacionit vendas dhe, si rrjedhim, edhe të detyrueshme për t’u zbatuar.

Krahas përmirësimit të legjislacionit në fushën e barazisë gjinore, Shqipëri me mbështetje ndërkombëtare, u angazhua në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse promovimin dhe zvatimin e barazisë gjinore, si Komitetit për Barazi Gjinore; Komitetit Ndër-Ministror për Barazinë Gjinore; Avokati i Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, etj. Por ashtu si në rastin e strategjisë së parë “Për barazinë Gjinore dhe Kundër Dhunës në Familje” munguan buxhetet e nevojshme për t’i bërë këto mekanizma funksionale.

Në kuadër të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian si një proces i domosdoshëm për integrimin në Union, Shqipëria në këto vite ka bërë hapa edhe në përmirësimin legjislacionit në fushën e tregut të punës, fokusuar në trajtimin e barabartë dhe mundësitë e barabarta për burrat dhe gratë në punësim, të drejtat për punëtorët shtatzëna, leja e lindjes, atësisë dhe pushimit prindëror. Përmirësimet përfshijnë ratifikimin e konventave dhe traktateve ndërkombëtare në legjislacionin kombëtar dhe përmirësimin e legjislacionit të brendshëm si, Kodi i Punës dhe Ligji i Sigurimeve Shoqërore.

Kodi i Punës tashmë njeh dhe formalizon lejen prindërore, gjatë së cilës prindërit kanë të drejtë deri në 4 muaj pushim pa pagesë për t’u kujdesur për fëmijën. E drejta e baballarëve për të marrë pushimin e atësisë 63 ditë pas lindjes së fëmijës është përfshirë në ndryshimet që iu bën Kodit të Punës në 2014. Megjithatë, parashikimet në legjislacionin vendas nuk janë ende të përputhura me Direktivën e BE për balancën punë-jetë, pasi në Kodin e punës parashikohet që babi të marrë deri në tre ditë leje të paguara pas lindjes së fëmijës, ndërkohë që në legjislacionin evropian parashikohen 10 ditë.

Falë këtyre ndërhyrjeve dhe përmirësimeve ligjore të vazhdueshme, edukimit të shoqërisë dhe ndryshimit pozitiv të mentalitetit për rolet gjinore në shoqëri, situata e grave dhe burrave në tregun e punës në Shqipëri ka filluar të ndryshojë. Një roj të rëndësishëm në këtë proces ndryshimesh pozitive ka luajtur dhe luan shoqëria civile e cila është e përfshirë drejtpërdrejt jo vetëm në konsultimin e ndryshimeve të legjislacionit, por veçanërisht në informimin dhe edukimin e komunitetit. Nga studimet e fundit rezulton se hendeku në pagë mes gjinive është zvogëluar edhe pse gratë vazhdojnë të paguhen në mënyrë të pabarabartë, deri në 90 për qind të pagës së një burri.

Garantimi i barazisë gjinore, perspektiva gjinore dhe mundësitë e barabarta për gratë dhe për burrat tashmë janë një detyrim i Shqipërisë dhe institucioneve të saj jo vetëm në kuadër të procesit të integrimit evropian, por veçanërisht detyrim kundrejt gjysmës së popullsisë që meriton vëmendje dhe mbështetje për të gëzuar të drejtat që i garanton ligji.

“Gender mainstreaming in the socio-economic policies of the municipalities in the region of Lezha” project, implemented by Together for Life organization, has been supported by Reactor – Research in Action and their partners through the Action “Furthering Gender Equality through the EU Accession Process”. This Action is funded by the European Union and co-funded by the Swedish International Development Cooperation Agency.

The contents of this post are the sole responsibility of the Together for Life organization and do not necessarily reflect the views of the European Union or the Swedish International Development Cooperation Agency.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re