Brenda Partisë Demokratike po zhvillohen negociatat e fundit për të bashkuar të gjithë deputetët dhe bazën e forcës më të madhe politike të opozitës, në prag të betejës për 61 bashkitë e vendit.

 

Të vetëdijshëm se edhe një votë e vetme ndikon në rezultatin e zgjedhjeve, jo vetëm Sali Berisha, por të gjithë deputetët janë përfshirë në bisedime me kolegët e tyre, për të gjetur një formulë bashkimi.

 

LUÇIANO BOÇI

NËNKRYETAR I PD

 

“Bisedimet vazhdojnë, kontaktet vazhdojnë sepse kontaktet janë të natyrshme në sallën e parlamentit, në korridoret e PD dhe do të kërkojmë vazhdimit të gjejmë bashkimin sepse cdo carje e vogel do ta dëmtonte betejën tonë opozitare dhe qëllimin tonë kryesor politik për të marrë në dorë fatet e qytetarëve ne drejtimin e bashkive të vendit.”

 

Deputetët demokratë besojnë se mund të arrihet bashkimi i PD në zgjedhje, pavarësisht nëse njëra palë e pranon apo jo Sali Berishën në krye të PD, pasi për kandidatët do të votojnë anëtarët e partisë dhe simpatizantët.

 

LUÇIANO BOÇI

NËNKRYETAR I PD

 

“Ne kemi shpallur procesin e primareve dhe kandidati që del nga baza sipas vullnetit të anëtarëve është e thjeshtë të pranohet nga çdo deputet pavarësisht mendimeve të ndryshme që ka në raport me lidershipin, në raport me ndryshimet statutore, në raport me kuvendin e datës 11 dhjetor.”

 

Pjesa më e madhe e deputetëve, që nuk e pranojnë Sali Berishën si kryetar të partisë demokratike, janë duke parë mundësinë për bashkimin në zonat e tyre elektorale, me qëllim rritjen e mundësive që opozita të fitojë përballë partisë socialiste në zgjedhjet lokale. Deputeti i Elbasanit Dashnor Sula, i cili njeh Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar, deklaron se mundësitë për bashkim ekzistojnë dhe ai vetë e pranon procesin e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve.

 

DASHNOR SULA

DEPUTET, PD

 

“Për zonën e Peqinit e kam ndarë mendjen bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët e mi që ne duhet të gjejmë një kandidat të përbashkët dhe kemi identifikuar 3 kandidatët. Nuk na ka thënë as Z. Berisha, nuk na ka thënë asnjeri, por është sinqeriteti jonë politik, dëshira jonë që të fitojmë, sepse ne nuk kemi armik vëllezrit tanë tek foltorja, nuk kemi armik Sali Berishën.”

 

Sula nuk është i vetmi deputet që pavarësisht se nuk është mbështetës i Sali Berishës, do të punojë që opozita të ketë vetëm një kandidat në zgjedhjet lokale. Pjesa më e madhe e deputetëve po shohin mundësitë për bashkëpunim në betejën e 2023, pavarësisht debateve për lidershipin. Por, pavarësisht këtyre negociatave, ende mbetet një grup i kryesuar nga Enkelejd Alibeaj, i cili e ka bërë të qartë se nuk i njeh proceset e realizuara nga Sali Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re