I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, priti të martën në Bruksel, kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në kuadër të përpjekjeve të reja për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës, të cilën zyrtarë evropianë e cilësuan si më të rrezikshmen që nga viti 2013.

 

 

Tensionet në zonë u shtuan pasi qeveria e Kosovës filloi me 1 nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit.

 

 

Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor.

 

 

Sipas vendimit të qeverisë nga 21 nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave.

 

 

“Nuk mund të arrijmë këtë datë pa një marrëveshje, ose do të jemi në prag të situatës së rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve nga institucionet në veri nga policia, gjyqësori, nga kryetarët e komunave ka krijuar një boshllëk dhe në këtë situatë më e keqja mund të ndodhë, pra të dyja palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet”, tha shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimi Evrpian, Josep Borrell.

 

 

Diplomatët perëndimorë ngulin këmbë që Kosova të shtyjë afatin për konvertimin e targave të makinave dhe të fillojë diskutimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa punonjësit serbë të kthehen në institucionet që i braktisën më 4 nëntor dhe të krijojnë hapësirë për diskutimin e një propozimi evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për një marrëveshje mes palëve.

 

 

Zyrtarët evropianë thanë se do të përpiqen për tejkalimin e krizës aktuale nëpërmjet bisedimeve me udhëheqësit e delegacioneve të të dyja palëve dhe nëse ka ndonjë përparim do të thërrasin një takim të nivelit më të lartë politik.

 

 

Ndërkaq të hënën në mbrëmje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli se zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave në pjesën veriore të Kosovës do të mbahen me 18 dhjetor, mes pikëpyetjeve për mbajtjen e tyre për shkak të tensioneve në zonë.

 

 

Përfaqësuesit e Listës serbe, që është subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, thanë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje ndërsa shefi i zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviç tha se përpjekjet për të mbajtur zgjedhjet do të dështojnë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re