Dy avionë të Forcave Ajrore të Koresë së Jugut u përplasën sot në ajër gjatë stërvitjes dhe u rrëzuan në një mal pranë qytetit juglindor Sacheon, duke lënë të vdekur 3 persona dhe një të plagosur, njoftuan zyrtarë të emergjencës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti duke përmendur rregullat e departamentit, thanë se nuk kanë asnjë raport për viktima civile apo dëme në terren.
Tre helikopterë, 20 automjete dhe dhjetëra punonjës të urgjencës u dërguan në vendngjarje, thanë zyrtarët.
Forcat ajrore konfirmuan përplasjen e dy avionëve trajnues KT-1. Por, një deklaratë e Forcave Ajrore theksoi se janë duke u përpjekur të konfirmojnë viktimat e raportuara dhe nëse pilotët në avion u përpoqën të katapultohen. Deklarata shtoi se avioni KT-1 është me dy ulëse.
Shkaku i përplasjes nuk u bë i ditur menjëherë.
Incidenti i sotëm erdhi disa muaj pasi një pilot i Forcave Ajrore të Koresë së Jugut humbi jetën në janar pasi avioni i tij luftarak F-5E u rrëzua në një mal në qytetin Hwaseong, në jug të kryeqytetit Seul.
Koreja e Jugut ka rreth 560 mijë trupa nën një sistem rekrutimi që synon të ndihmojë në parandalimin e agresionit të mundshëm nga Koreja e Veriut, e cila ka rreth 1.3 milionë ushtarë, një nga ushtritë më të mëdha në botë. Rreth 28.500 trupa amerikane janë të vendosura në Korenë e Jugut, si rezultat i Luftës Koreane të viteve 1950-1953 që përfundoi me një armëpushim, jo me një traktat paqeje.
Burimi: AA