Vetëm pasi u bë publik rasti, Policia e Tiranës ka dhënë detaje nga aksidenti i të mërkurës në drekë në Bulevardin “Gjergj Fishta”, ku gazetarja Ilda Bejleri ka aksidentuar një grua dhe është larguar nga vendi i aksidentit.

Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se është sekuestruar makina e gazetares dhe ajo tani do të hetohet në gjendje të lirë nga prokuroria për dy akuza.

Ndërkohë, para reagimit të “bluve”, Ilda Bejleri ka mohuar aksidentin duke akuzuar gazetën “” për shpifje pasi publikoi për herë të parë rastin.

Policia ndër të tjera njofton: 

Informacion përfundimtar në lidhje me aksidentin e ndodhur mesditën e djeshme në Bulevardin “Gjergj Fishta”, Tiranë.

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bulevardin “Gjergj Fishta”, më datë 12.02.2020, ku ka mbetur e dëmtuar shtetasja me iniciale E. Gj, 63 vjeçe, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore, në orët e mbrëmjes grupi hetimor ka shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasen me iniciale I. B., 33 vjeçe.

Policia Rrugore e Tiranës, krahas veprimeve të tjera hetimore, me qëllim sqarimin e rrethanave, në funksion të dokumentimit të plotë të aksidentit rrugor, si pasojë e të cilit ka mbetur e dëmtuar këmbësorja E. GJ., ka sekuestruar ne cilësinë e provës materiale automjetin në pronësi të shtetases I. B., me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetases I. B, si e dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re