Policia ka vënë në pranga 44-vjeçarin e cili pasi përplasi një këmbësor dhe një mjet bujqësor të parkuar, u arratis nga vendngjarja.

Në pranga dhe një 55-vjeçar që ishte pasagjer në automjet, në momentin e aksidentit, dhe nuk e kallëzoi rastin.

Gjithashtu, policia bën me dije se ka sekuestruar automjetin e 44-vjeçarit, i përfshirë në aksident.

Ndërkohë, personi i lënduar ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në Spitalin e Traumës.

“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore, të kryera menjëherë pas aksidentit rrugor të ndodhur pasditën e djeshme, në fshatin Tregan, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasin F. P., 44 vjeç.

Nga veprimet e deritanishme dyshohet se me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, 44-vjeçari ka përplasur këmbësorin, shtetasin F. K., 56 vjeç, dhe 1 mjet bujqësor të parkuar, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. 56-vjeçari aktualisht është në kujdesin e mjekëve, në Spitalin e Traumës.

Në vijim të këtyre veprimeve, u vu në pranga, për moskallëzim të krimit, shtetasi A. B., 55 vjeç, pasagjer në automjetin e 44-vjeçarit, në momentin e aksidentit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme”, njoftimi i policisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko