Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaron se legjitimiteti i Kuvendit të 11-dhjetorit tashmë është në dyshim.

I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Patozi tha se çelësin e këtij legjitimiteti sot e ka kryedemokrati Lulzim Basha.

“Për të qenë tamam në Kongres duhet që ky të ketë një legjitimitet dhe çështja e legjiitmitetit të tij është shumë në dyshim.

Aq më tepër, që mesa duket çelësin e këtij legjitimiteti e ka në dorë ai që ata e konsiderojnë si kryetar i vulës, Lulzim Basha.

Kjo është një ironi e fatit. Është një lloj karme që i bie në shpinë Partisë Demokratike, por ndoshta dhe udhëheqësit të Foltores”, tha Patozi.

Betejën midis Sali Berishës dhe liderit aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Patozi e konsideron për jetë a vdekje. Sipas tij, kjo përplasje midis tyre nuk do të përfundojë as më 11-Dhjetor, por as pas kësaj dite.

“Mënyra se si ata e interpretuan këtë mbledhjen e firmave ishte si t’i marrësh firmat dhe të lodhesh të djersitesh dhe ta hedhësh në plehra gjithë mundin e këtyre dy muajve. Ndërkohë, që pala tjetër, sot ka gjetur një moment ku të mbahet. Unë mendoj që partinë nuk mund ta udhëheqësh me procedurë. Politika është votë, nëse tjetrit i shkojnë njerëzit, atëherë ty të rroftë vula.

Mirëpo, këto janë armë që ata tashmë i kanë zgjedhur dhe ne sado që të flasim nuk iu ndërhyjmë dot më. Ajo është një betejë për jetë a vdekje, dhe unë mendoj që nuk do të përfundojë as me 11 as me 12 për shkak se z.Berisha nuk do që të ndahet. Ndërkohë që unë mendoj që Lulzim Basha do vetëm të shpëtojë nga Sali Berisha, mundësisht të ikë fare”, u shpreh Patozi.

Për ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike, zgjidhja më e mirë që ka kjo parti sot është ndarja. Ai këshillon që nëse kjo gjë duhet të ndodhë, duhet të realizohet shpejt:

“Partia Demokratike sot duhet të kuptojë se e vetmja gjë që mund të bëjë në këto rrethana në këto kushte, në këtë derexhe ku është katandisur për shkak të këtyre dyve, zgjidhje më të mirë ka ndarjen. Këshilla ime është kjo, një gjë që ka për tu bërë, të bëhet shpejt.

Partia Demokratike në qoftë se nuk ndahet sot, nuk pranon atë që i ka ndodhur… ata janë dy realitete të ndryshme, e trajtojnë njëri-tjetrin si armiq. Edhe kjo, mosdorëzimi i firmave, çfarë është. Edhe më keq se kundërshtari, janë gati ta çojnë tek Edi Rama këtë listën, ta shohë ai, por jo ky tjetri.”

Rruga e vetme që Berisha ka për largimin e Bashës, është ta trembë atë, sipas Patozit:

“E vetmja rrugë që ka, po e trembi, me e tremb a ka mundësi… dhe ai ikën, Sali Berisha e arrin objektivin e parë.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re