Analisti Ylli Hoxha, në një intervistë me gazetarin Aleksandër Furrxhi, në edicionin e Lajmeve të Vizion Plus, komentoi zhvillimet e fundit sa i përket “përplasjes” së Kosovës me aleatët ndërkombëtarë mbi çështjen e dinarit.

Një situatë me potencial destabilitues edhe për shkak të fleëtushkave që nxisin sulme, çfarë dihet më shumë për organizatorët e këtyre thirrjeve për dhunë?

“Dihet fare mirë kush janë organizatorët në veri të Kosovës, do të thotë është forca dominuese politike pro-qeveritare, Lista e Aleksandër Vuçiç e cila kontrollon gjithçka, çdo gjë sa i përket popullatës serbe. Këtë e ka bërë për vite me radhë nën mbikëqyrjen edhe të ndërkombëtarëve edhe tonën”, tha ai. “Nuk është diçka për t’u befasuar, jemi në muajt e fundit ku marrëveshja franko-gjermane mund të gjejë zbatim ose je do të thotë nëse do të ketë një fund, fundi do të jetë në këtë fillim pranvere dhe pritet që në këto ditë të ardhshme, javë të ardhshme të ketë intensitet edhe të potencialit të konfliktit, por edhe ndërhyrje të jashtme”, shtoi ai.

Dy vjet më parë situata u përshkallëzua pas kundërshtimit të drejtuesit serb të policisë për çështjen e targave, a ka ndonjë ngjashmëri mes këtyre dy episodeve, targave edhe dinarit?

“Edhe targat edhe dinari janë rrëmuja të sistemit të kaluar në Kosovë, para vitit 1999. Kosova është shndërruar në një shtet të pavarur e megjithatë dhe i ka këto rrënoja që duhet t’i pastrojë. Në të dyja rastet qeveria e Kosovës ka pasur të drejtë me kërkesën e saj, në të dyja rastet po penalizohet nga bashkësia ndërkombëtare, po qortohet. Duhet të shtrohet pyetja në çfarë këto dy lloj vendimesh prekin marrëveshjet e deritanishme”, tha ai duke nënvizuar se të dyja vendimet ishin në përputhje të plotë me marrëveshjet e nënshkruara. “Si duket bashkësisë kombëtare po i pengon ky lloj tipi i shfaqjes sovraniste të kryeministrit Kurti, i cili me pak delikatesë po i bën këto veprime, mirëpo në esencë janë veprime që shkojnë në përpuethje me atë që bashkësia kombëtare e do”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti po thotë se Vuçiç enkas nuk e nënshkruan marrëveshjen për të lënë të hapur rrugën për përshkallëzim, po vetë qeveria e Kosovës ka diçka në dorë të sillet ndryshe?

“Qeveria e Kosovës do të mund të parashihte një reagim të tillë të bashkësisë ndërkombëtare dhe të mund të bënte disa hapa kozmetike rreth vendimit që kjo të shitej më lehtë”, theksoi ai.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re