Avokati Andi Hasanaj ka komentuar përplasjen e kryebashkiakur Erion Veliaj, me një nga prokurorët e çështjes së tij, Ols Dadon.
Hasanaj, në studion e emisionit ‘Open’ tha se nëse Veliaj do përjashtimin e prokurorit nga çështja për shkak të konfliktit të interesit, duhet të ndjekë rrugë ligjore, jo duke bërë publikime transkriptesh.
“Në këndvështrimin tim, qëndrimet që duhet të mbajë Veliaj, duhet të futen në kuadrin dhe kornizën ligjore. Që do të thotë, në rast se ka pakënaqësi nga prokurori i çështjes, ka instrumente ligjore për të kërkuar përjashtimin e këtij prokurori, nëse ka konflikt interesi. Pra duhet të ndjekë rrugën ligjore.
Nuk mund ta sulmojmë një situatë duke përdorur një paligjshmëri. Duhet të kemi parasysh se aty jemi në një seancë me dyer të mbyllura, ku ndalohet publikimi i çdo lloj akti, çdo lloj materiali që vjen nga ajo sallë gjyqësore.
Pamë një transkript që u bë publik, që është pjesë e një seancë me dyer të mbyllura. Nëse Veliaj ka kundërshtim me prokurorin, duhet të kërkojë largimin. Nëse e ka fyer, duhet të bëjë kallëzim. Janë hapa ligjor që duhet të ndërmarrë, pa pasur nevojë që të bëjë publikime transkriptesh, që pastaj sjellin diskutimin është apo jo i saktë”, tha Hasanaj.
