VALENTINA MADANI/ Komisioni i Etikës përjashtoi dje me 10 ditë 6 deputetë të opozitës. Më konkretisht, u përjashtuan deputetët Bledion Nallbatit, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Gazment Bardhi. Po ashtu, me 3 ditë është përjashtuar edhe deputeti Saimir Korreshi.

Mësohet se ndaj Lefter Gështenjës nuk është marrë masë disiplinore. Më herët Partia Socialiste kërkoi marrjen e masave ndëshkimore për deputetët e opozitës, që ishin protagonistë të përplasjeve fizike dhe incidenteve të krijuara në Kuvend në seancën e të hënës pasdite. Mazhoranca iu drejtua kryetares se Kuvendit, Lindita Nikolla, për të kërkuar mbledhjen e Sekretariatit të Etikës.

Deputetët e opozitës tentuan të futen në mbledhjen e Komisionit të Etikës, ku pritet të shqyrtohet kërkesa e deputetëve socialistë për përjashtim të 7 kolegëve nga “Rithemelimi”. Ish-kryeministri Sali Berisha së bashku me disa deputetë të tjerë nuk u lejuan nga Garda që të futen në mbledhje. Ata kanë akuzuar qeverinë se dëshiron të mbyllë gojën e opozitës, ndërsa kërkuan mbledhje të hapur.

Të hënën në seancën plenare, opozita bllokoi punimet duke krijuar incidente që kulmuan me përplasjen fizike mes deputetëve Nallbati dhe Vullnet Sina, incident ku në fakt u përfshinë edhe disa emra të tjerë, mes të cilëve Flamur Noka dhe Edi Paloka. Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se nuk do e njohë vendimin e Komisionit të Etikës për të përjashtuar deputetët e opozitës. Ai tha se socialistët e kuptuan se do të ishin nën presion, ndaj e braktisën mbledhjen.

“Morën çantat dhe ikën kur e panë se do kishte një presion të madh të arsyeshëm nga deputetët e PD-së, të cilët po kërkonin aty shpjegime se pse ata ishin përjashtuar 7 ditë nga Parlamenti dhe po jepnin argumente se ky vendim ishte i paligjshëm, i pabazuar në rregullore për përjashtimin e parlamentarëve të opozitës”, – theksoi lideri demokrat.

Ai nënvizoi se së bashkë me të tjerë deputetë opozitarë nuk u lanë të futen në mbledhjen e Komisionit të Etikës, duke shkelur kështu ligjin. Megjithatë, Berisha shprehet i vendosur për të çuar deri në fund qëndresën e tij para mazhorancës.

“Në çdo komision janë të lejuar të marrin pjesë, ne ishim si audiencë dhe në tavolinën qendrore ishin deputetët për të cilët Edi Rama kishte lajmëruar përjashtimin. Edi Rama e di që nuk i ndahemi pa rikthimin e të drejtave tona kushtetuese. Ai i ka tmerr kontrollet e opozitës”, – theksoi Sali Berisha.

Lideri demokrat premtoi se opozita do t’i përgjigjet Edi Ramës dhëmbë për dhëmbë. Sali Berisha deklaroi se Rama ka zgjedhur si taktike të mbyllë Parlamentin duke ndëshkuar seance pas seance deputetët e opozitës. Sipas tij, përjashtimi i deputetëve nga seancat parlamentare është urdhër i Edi Ramës.

“U diskutua gjerësisht se si t’u përgjigjemi dhëmbë për dhëmb përpjekjeve të Edi Ramës për të vazhduar me mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve në parlament. Së pari, dënon çdo provokim që bëhet në kohën që ne jemi në protestë në Parlament. Unë u kërkoj deputetëve socialistë të mos merrni rolin e provokatorit. Nëse ne protestojmë për të drejtat kushtetuese të deputetit, minimumi është të respektoni protestën. Të mos ndodhë si dje, ne protestonim dhe ata merrnin fjalën me qëllim që si e si të zhurmonin protestën tonë.

Kjo situatë i turpëron ata. Ne po protestojmë për problemet më të drejta për ekzistencën e Parlamentit dhe pluralizmit. Kjo është thirrja ime për ta. Përgjigjja: ju do ta ndiqni, sepse asgjë sekret nuk kemi ne dhe do të jenë publike. Edi Rama ka zgjedhur taktikë që të mbyllë Parlamentin, në mënyrë që ta bëjë të paqenë atë. Do të ketë një datë, më 2 nëntor dhe seancën tjetër e ka vendosur për ta bërë në datën 22. Ne nuk pranojmë asnjë praktikë të tillë, ne vazhdojmë betejën. Ne si parlamentarë jemi të betuar që do të rivendosim të drejtat tona Kushtetuese”, – u shpreh kreu demokrat.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re