Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor ka dalë në përfundimin se Ardian Dvoranit i ka mbaruar mandati, por nuk ka se kush e zëvendëson. Report Tv ka siguruar raportin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, që i është dorëzuar KLGJ-së për vendimmarrje.

Sipas raportit, tre anëtarët e rinj që janë zgjedhur dhe që u dekretuan nga Ilir Meta në datë 11 mars nuk e zëvendësojnë dot Dvoranin duke rrëzuar kështu kreun e shtetit.

Arsyeja? Sepse tre të zgjedhurit e rinj kanë zëvendësuar të tjerët që janë larguar me mbarim mandati ose dorëheqje për shkak të vettingut, ndërsa vakanca e Dvoranit nuk është shpallur. Kreu i Gjykatës së Lartë njëherazi kreu i KED, Ardian Dvorani, dy ditë më parë në 29 prill, i kërkon KLGJ-së së paku edhe tre ditë kohë (skadon nesër afati) për t’iu përgjigjur në lidhje me mandatin e tij.

Por kush e solli në skenë përfundimin e mandatit të Dvoranit dhe si nisi? Ishte Presidenti Ilir Meta që në datë 24 prill depozitoi një kërkesë në KLGJ ku vuri në dukje se gjyqtarit Ardian Dvorani njëherazi kreut të gjykatës së lartë dhe këshillit të emërimeve në drejtësi i kanë përfunduar të gjitha funksionet.

Më tej sipas shkresës thuhej se me dekretimin e tre gjyqtarëve të tjerë në Gjykatën e Lartë, sipas presidencës kreu aktual duhet të ishte larguar, por tashmë Komisioni i Zhvillimit të Karrierës rrëzoi Ilir Metën duke e lënë në detyrë Dvoranin.

Prej kohësh Presidenti Ilir Meta dhe Dvorani janë përfshirë në debat publik dhe juridik, ku aktualisht hetime po kryen edhe prokuroria e posaçme për mënyrën e funksionimit të KED drejtuar nga Dvorani në cilësinë e gjyqtarit të vetëm dhe kreut të gjykatës së lartë.

Gjykata e Lartë aktualisht ka 4 anëtarë që përbëjnë kuorumin minimal të nevojshëm për të marrë vendime në tre kolegjet e kësaj gjykate atë Penale, Civile dhe Administrative.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re