Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përplasjes në Këshilin e Sigurimit në OKB të kreut të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për heqjen e dinarit.

Rama e quajti një seancë të pakuptimë, duke shtuar se Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Kreu i qeverisë shtoi se “qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm”, por theksoi se “Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë”.

Reagimi i Ramës:

Ishte një seancë pa kuptim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën.

Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë në jetën e përditshme njerëzit zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm.

Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë.

Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re