Në Spitalin Rajonal të Beratit, rikonstruksioni i Repartit të Kirurgjisë ka shkaktuar tension mes stafit mjekësor dhe drejtuesve të institucionit. Burime nga spitali bëjnë me dije se mjekët gjinekologë, së bashku me pjesën tjetër të stafit, kanë kundërshtuar urdhrin e drejtorisë së Spitalit Rajonal të Beratit për përdorimin e ambienteve të sallës së lindjes dhe ndërhyrjeve obstetrikale nga Kirurgjia e Përgjithshme, duke argumentuar se një veprim i tillë rrit rrezikun e infeksioneve për pacientet dhe dëmton standardet e trajtimit.

Dr. Gentjan Kusta & Dr. Arqile Vasili: “Janë marrë, janë gërvishtur pa na pyetur fare ne. Kanë ardhur shërbimi i kirurgjisë, këto janë tonat, na i kanë nxjerrë në korridor pa na pyetur, pa na dhënë një shkresë zyrtare. Këtu është reparti i abortarit ku vijnë gratë me rrezik aborti dhe aborti që bëhet, dhe ata pretendojnë që këtu të vijnë trauma, të vijnë apandesite.”

Nga ana tjetër, drejtuesi i Spitalit Rajonal Berat, Arben Konomi, jashtë kamerave shpjegon se procedurat janë kryer në konformitet me ligjin, me shkresat që i janë dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë më datë 17 tetor 2025, për fillimin e rikonstruksionit të repartit të kirurgjisë me një kohëzgjatje tre mujore. Nga punimet që po kryhen, nuk është prekur vetëm gjinekologjia, por edhe repartet e patologjisë dhe pediatrisë, ku janë bërë ndarjet me gips nga repartet përkatëse.

Gjithashtu, Konomi u ka bërë thirrje për mosbojkotim të punës nga ana e mjekëve dhe stafit të obstetrikë-gjinekologjisë, të respektojnë vendimet e administratës, dhe ka paralajmëruar masa ligjore e administrative nëse pengohet puna e repartit të kirurgjisë gjatë periudhës së rikonstruksionit.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa ende nuk ka një zgjidhje zyrtare për përdorimin e përkohshëm të ambienteve të tjera të spitalit. Burime pranë stafit mjekësor theksojnë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë, por jo në dëm të pacienteve dhe protokolleve mjekësore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re