Detaje të reja dalin në dritë nga atentati i ndodhur dje në Bulqizë, ku u qëllua me armë në drejtim të një makine ku ndodheshin dy kushërinjtë, Erlind dhe Shaqir Tollja, ndërsa është shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, Besmir Zeneli.

Vëllai i këtij të fundit, Ergys Zeneli ka treguar dhe zanafillën e konfliktit mes dy familjeve, që daton në Gusht të këtij viti, e që pas saj fshihen intersat e kromit. Zeneli shprehet se vëllai i tij, Besmiri që në muajinm Gusht ka denoncuar kushërintë Tola, dhe policia u ka sekuestruar atyre vetëm një armë gjahu.

“Djali i xhaxhait të Shaqirit është konfliktuar me vëllain që në muajin Gusht. Vëllai, Besmiri ka denoncuar Ardit Tollen. Pasi i ka denoncuar në gusht policia i’u sekuestroi armën e gjahut. Djali i Shaqirit ka kërcënuar me armë vëllain në shtator. Besmiri është ndjekur nga Shaqiri dhe Lindi Tollaj dje, kur ka kaluar para lokalit ku ata qendronin.

Shaqiri i është vënë në ndjekje me makinë vëllait, dhe e kanë detyruar që të dalojë. Vëllai i ka përplasur me mjet pasi ishte i kërcënuar për jetën, Shaqir dhe Lindi Tollja kanë qëlluar në drejtim të Besmirit. Plumbat kanë goditur makinën e Besmirit, prej kohësh kemi frikë që të dalim në Bulqizë nga Tollajt. Ne jemi përpjekur të sheshojmë mos- marrëveshjet”, shprehet Ergys Zeneli.

Ndërkohë që një tjetër version kanë anëtarët e familjes Tollaj, të cilët thonë se vazhdimisht Besmir Zeneli i ka kërcënuar anëtarë të tyre.

Shaqir Tollja, ndaj të cilit u qëllua me armë zjarri, tha dje se Bezmir Zeneli i ka rrahur djalin 15-vjeçar dhe se pavarësisht denoncimit në polici nuk është bërë asgjë pasi dyshon që të ketë lidhje me shefin e komisariatit.

“Fabrikën e përpunimit të kromit nuk e ka familja ime, por kushërinjtë. Vetëm se kemi mbiemrin e njëjtë, Besmir Zeneli na sulmon më mënyrë të vazhdueshme. Në gusht ka qëlluar djalin tim 15 vjeç, në shtator më ka rrahur mua dhe tani tentoi të vrasë djalin tim 26 vjeç. Fabrika e ferro-kromit është aktualisht e mbyllur por më parë ka qenë në bashkëpronësi mes  Zenelit dhe kushërinjve të mi.

Unë jam minator, nuk kam fabrikë! Zenelin e kam denoncuar në polici në gusht, por policia nuk ka marrë asnjë masë. Dyshojmë se ka lidhje me shefin e komisariatit. Ende nuk është arrestuar edhe pas ngjarjes së sotme”, është shprehur dje Shaqir Tollja.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re