Udhëheqësit evropianë kanë reaguar pas diskutimit të tensionuar midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt
Udhëheqësit evropianë kanë reaguar pas diskutimit të tensionuar midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë.
Në një postim në platformën X, kryeministri polak dhe ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk iu drejtua Zelenskyt duke shkruar ”i dashur Zelensky, të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm”.
I pyetur për konfrontimin gjatë qëndrimit në Portugali, presidenti francez Emmanuel Macron u tha mediave franceze se Rusia është agresori dhe populli ukrainas është ai që sulmohet. Ai shtoi se vendet evropiane dhe aleatët e tjerë kishin të drejtë që ndihmuan Ukrainën tre vjet më parë dhe sanksionuan Rusinë dhe vazhduan ta bëjnë këtë. Macron tha se është e rëndësishme të “respektohen” të gjithë ata që kanë luftuar që nga fillimi për dinjitetin e tyre, të drejtat dhe sigurinë e Evropës.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerboc shkroi në rrjete sociale: “Ukraina nuk është vetëm”.
- “Gjermania së bashku me aleatët tanë evropianë qëndron e bashkuar përkrah Ukrainës – dhe kundër agresionit rus. Ukraina mund të bazohet në mbështetjen e palëkundur nga Gjermania, Evropa dhe më gjerë. Mbrojtja e tyre e demokracisë dhe kërkimi i tyre për paqe dhe siguri është e jona. E vërteta është e thjeshtë. Rusia pushtoi Ukrainën. Rusia është agresori. Ukraina mbron lirinë e saj dhe tonën. Ne qëndrojmë me Ukrainën.“
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda: “Ukrainë, nuk do të ecësh kurrë vetëm”.
- Ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna: “E vetmja pengesë për paqen është vendimi i diktatorit rus Vladimir Putin për të vazhduar luftën e tij të agresionit. Nëse Ukraina pushon së luftuari, nuk do të ketë Ukrainë. Mbështetja e Estonisë për Ukrainën mbetet e palëkundur. Është koha që Evropa të përparojë. Nuk kemi nevojë të presim që të ndodhë diçka tjetër; Evropa ka burime të mjaftueshme, duke përfshirë asetet e ngrira të Rusisë, për t’i mundësuar Ukrainës të vazhdojë luftën.”
