Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame ka folur nga Patosi për akuzat e deputetit socialist, Petro Koçit në Fier. Para disa ditësh, me anë të një postimi në rrjete sociale, Koçi tha se trafikantët e drogës po pastrojnë paratë përmes dhunës dhe kërcënimeve duke pastruar paratë e tyre me taksat e qytetarëve të Fierit.

Lame kërkon që politika mos përfshihet me punët e Kadastrës në Fier dhe kudo, por të merret me drejtimin dhe vizionin. Ai thotë se vetë po çon dosje me probleme për hetim të mëtejshëm, teksa i bën thirrje Prokurorisë dhe SPAK të ndihmojë Kadastrën.

“Politika të rrijë larg këtij procesi. Politika të merret me vizionin, drejtimin, komandanti i anijes të komandojë anijen. Ai që ndez dhe mban motorin të punojë që është Kadastra në rastin konkret, le të na lërë të bëjmë punën tonë. Po ngatërruam rolet, anija nuk do të ecë ose do shkojë të përplaset diku. Politika le të rrijë larg këtyre proceseve. Unë vetë si Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës kam çuar dhe po çoj dosje për hetim të mëtejshëm me një arsyetim të thjeshtë. Ka dy kategori dosjes, e para mitmarrja, futja e dorës në xhepin e tjetrit dhe e dyta janë problematikat për shitblerje të dyshimta. Kjo kërkon më tepër kohë dhe më e rëndësishme për tu bërë. Bujrum kush të dojë, prokurori apo SPAK të na ndihmojë në këtë proces”, shprehet në reagimin e tij Artan Lame.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Petro Koçit, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se politika, në emër të qytetarëve e ka për detyrë të reflektojë e të kërkojë performancë sipas ligjit në çdo institucion.

“Me lutjen per mediat qe te mos perkthejne: Politika, ne emer te qytetareve e ka per detyre te reflektoje e te kerkoje performance sipas ligjit ne cdo institucion.  Kadastra, si e kam thene edhe ne analizen paraprake te zgjedhjeve eshte nje sektor qe krijoi kosto politike dhe elektorale ne Fier. Pra politika nuk ka pse i rri larg institucioneve.  Larg institucioneve duhet te qendrojne korrupsioni, shperdorimi i detyres, tallja me njerezit, kapadailleku dhe niveli i ulet i sherbimit. Keto skane nevoje automatikisht  per SPAK. Ka nevoje ne rradhe te pare per nderhyrje dhe masa administrative.  Por ka raste qe dikush duhet cuar edhe ne SPAK.”, shkruan në reagimin e tij Petro Koçi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re