25 mijë demokratë janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 29 korrikut mes Lulzim Bashës dhe Gjergji Hanit.

 

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana, pranoi se nga 75 mijë anëtarë që ka pasur Partia Demokratike në vitin 2021, vetëm 1/3 kanë mbetur tek grupimi që pritet të zgjedhë Bashën kryetar të shtunën.

 

Por Gjana nuk dha një sqarim pse ky grupim ka të drejtën të përdorë simbolet e Partisë Demokratike, kur sipas shifrave të paraqitura nga vetë ai, 50 mijë anëtarë ose 2/3 e demokratëve janë larguar me Sali Berishën.

 

JEMIN GJANA

 

KRYETAR I KOMISIONIT ZGJEDHOR

 

“PD ka patur në dijeninë time, dikur edhe 120 mije ka patur edhe 102 mije anetare. Ka patur një listë me 75 mijë anëtarë në 2021. sot kemi kete numer anetaresie. Keto teorite dhe keto teza shumicash dhe pakicash nuk i shërbejnë askujt dhe asgjëje. “

 

Gjana pranoi se PD përveç anëtarësisë së reduktuar, ka edhe një problem me vendosjen e qendrave të votimit, pasi një pjesë e selive sot i ka Sali Berisha, apo edhe grupimi që mbështet Gazment Bardhin.

 

“Në disa prej degeve vecanerisht per tiranen do te kete nje qender votimi per disa dege per efekt te ambjenteve por edhe per efekt te nje numri me te reduktuar te anetareve. “

 

Por përtej demokratëve, që prej më shumë se një viti kanë zgjedhur kryetar Sali Berishën, sot kundër Lulzim Bashës dhe përpjekjes së tij për të marrë drejtimin e PD është rreshtuar edhe Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi.

 

Ai ka thirrur mbledhjen e këshillit kombëtar pasditen e së enjtes për të diskutuar çështjen e drejtimit të Partisë Demokratike. Por në përpjekjen e tij për të bllokuar zgjedhjet e 29, duket se Bardhi nuk është i vetëm, pasi anëtarë të këshillit kombëtar që prej kohësh njohin Sali Berishën si kryetar do të marrin pjesë në këtë mbledhje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re