Ditën e djeshme u zhvillua mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Gjatë mbledhjes, Rama u përfshi në debate lidhur me çështjen e luftës në Ukrainë, me ambasadorin e Rusisë në OKB.

Gazeta gjermane Bild i ka kushtuar një artikull asaj ç’ka ndodhi në OKB mes Ramës dhe përfaqësuesit të Rusisë.

Artikulli i BILD:

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën në Nju Jork, pati ankesa nga ambasadori rus në OKB Wasili Nebensja. Atij nuk i pëlqente fakti që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte i pari që foli pas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Kjo, sipas mendimit të tij, do ta kthente seancën në një “show stand-up me një njeri”, duke ironizuar kështu karrierën e mëparshme të Zelenskyt si komedian. Ai shtoi se ky veprim gjithashtu dëmtonte imazhin e kreut aktual të OKB-së.

Por Edi Rama si kryeministër i Shqipërisë dhe aktualisht Kryetar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk u acarua nga fjalët e tij.

Ai i bëri një “goditje” tjetër Rusisë me qetësi dhe vendosmëri: “Dëshiroj të siguroj kolegët rusë këtu dhe të gjithë të tjerët se ky nuk është një operacion special i presidencës shqiptare, por një vazhdimësi e një praktike të kahershme dhe të vendosur që përputhet me dispozitat e OKB-së.”

Në një konferencë të mëparshme, kryeministri i Shqipërisë bëri një shaka “të hidhur” me Putinin në skenë.

Edhe kësaj radhë, nga salla u dëgjuan të qeshura, kur kreu i qeverisë shqiptare vendosi t’i kthehej me besim dhe gjakftohtësi acarimit të Wasili Nebensja me një fjali:

“Ka një zgjidhje për këtë, nëse jeni dakord: ju përfundoni luftën dhe Presidenti Zelensky nuk do të flasë këtu”, tha Rama.

“Mund të jetë kaq e thjeshtë…”, shtoi ai.

Kujtojmë se pavarësisht luftës brutale kundër Ukrainës, Rusia ka ende të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit në OKB.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re