Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi ka qenë sot në njësinë numër 10 në Tiranë, ku është testuar procesi i votimit elektronik, që sipas tij sjell lehtësi dhe besueshmëri në proces. Sa i takon fletës së votimit, Celibashi tha se përplasjet që po bëjnë partitë janë të kota dhe po sjellin vonimin e procesit.

“Nuk prisja që të kishte kundërshti kaq të mëdha për fletën e votimit, palët duhet ta kuptojnë se e rëndësishme është që të mos humbasim në shumë kohë”, tha Celibashi.

Kryekomisioneri tha se duhet të ketë sa më shpejt një vendim nga KAS, dhe në rast se palët sërish nuk janë dakord, Kolegji Zgjedhor ta shqyrtojë këtë çështje në kohën më të mirë të mundshme.

I pyetur nga gazetarët, nëse do të dalin të parat rezultatet e njësisë 10 në Tiranë, duke qenë se po aplikohet procesi i votimit elektronik, Celibashi tha se edhe në këtë pikë palët kanë qëndrime të ndryshme, dhe do të kalohet në një proces diskutimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re