Avokati i Popullit në një deklaratë pas protestave në Tiranë kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të qetësuar situatën.

“Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së djeshme dhe sotme ku janë shënuar përplasje midis një numri të madh qytetarësh që protestojnë për vrasjen e të riut Klodian Rasha dhe forcave të rendit.

Ekipe të Avokatit të Popullit kanë qënë dhe ndodhen në terren për të inspektuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi.

Në këtë situatë, institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi nga ana e qytarëve por sidomos nga ana e Policisë së Shtetit të garantohet e drejta e qytetarëve pēr të protestuar.

Indinjata e qytetarëve për vrasjen e të riut 25 vjeçar është e përligjur megjithatë, brutaliteti, por dhe shkatërrimi nuk duhet të lejohen pa marrë parasysh se nga cila anë vjen.

Avokati i Popullit bën thirrje për qetësi dhe të gjenden rrugët alternative në mënyrë që të mënjanohet konfliktet.

U urojmë shërim të shpejtë protestuesve dhe policëve të plagosur në krye të detyrës dhe bëjmë thirrje për të shmangur ekspozimin dhe pjesëmarrjen e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj situatave të rrezikshme.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës” thuhet në deklaratë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re