Policia e Shtetit ka dalë në një njoftim zyrtar menjëherë pas shpërndarjes së protestuesve para selisë së PD-së ku u shënuan dhe raste dhune mes mbështetësve të Berishës dhe atyre të Bashës.
Menjëherë pas marrjes në mbrojtje të godinës, pas kërkesës nga disa deputetë të Bashës policia ndërhyri për të shmangur përplasjen mes palëve.
Disa minuta pas spastrimit të selisë blu prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për ngjarjet e ditës së sotme.
“Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.
Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëlllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.”, thuhet në këtë komunikatë.
Njoftimi i plotë:
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës.
Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.
Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëlllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.
Në vijim do të ketë njoftime të tjera lidhur me këtë situatë.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme.
Sot u mbajt protesta kombëtare para selisë së PD-së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër kreut aktual Lulzim Basha.
Berisha kërkon largimin e tij nga drejtimi i partisë pas Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur prej tij dhe shkarkimit të Bashës më pas dhe në një referendum me anëtarësinë.
Bashës i ishte lënë afati 5 janar lirimi i zyrave dhe pas skadimit të këtij afati Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit njoftuan protestë për ‘rimarrjen e shtëpisë së tyre”. Berisha është në përplasje të hapur me Lulzim Bashën që prej 9 shtatorit, kur ky i fundit largoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-të. Menjëherë pas kësaj Berisha nisi turin e tij të ‘Foltores’ me anëtarësinë në të gjithë vendin, tur i cili kulmoi me Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin për shkarkimin e Bashës me 18 dhjetor të vitit që lamë pas. Sipas Komisionit të Rithemelimit, i ngritur për ristrukturimin e PD-së, Lulzim Basha është shkarkuar me mbi 44 mijë vota të anëtarëve të PD-së.
Ky i fundit e cilësoi procesin e shkarkimit të tij ilegjitim dhe të manipuluar, ndërsa theksoi se nuk do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike duke akuzuar Berishën se do të përdorë partinë për mbrojtje personale.
…
/faxweb
