Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka mbajtur fjalën e tij të parë në Parmalent ku ka përshëndetur punën e bërë deri më sot për garantimin e vaksinimit të plotë të popullatës.

Ligjvënësi ka ftuar kolegët deputetë që të bëhen bashkë për përballimin e pandemisë.

 

“Kjo betejë besoj se nuk ka shumë nevojë për analiza politike por për shkencën parasgjithash si edhe për një menaxhim të mirë dhe efikas, andaj ajo çka duhet të bëjmë është të pranojmë çka është për t’u pranuar, të reflektojmë çka është për t’u reflektuar, të negociojmë çka është për t’u negociuar, por ama në finale të bëhemi të gjithë bashkë në përparimin e kësaj beteje.Të paktën kjo gjë mund të jetë një pikë ku mund ti bashkojmë kontributet dhe qëndrimet tona, nëse qytetarët janë realisht të parët për cdo forcë politike të përfaqësuar në këtë sallë, nëse Shqipëria dhe qytetarët e saj janë mbi cdo gjë tjetër, mbi cdo interes partiak, elektoral apo karrige pushteti”, u shpreh deputeti socialist.

 

Veç të tjerash, ai ka sugjeruar edhe një analizë të thelluar lidhur me gjendjen e pandemisë në vend për t’i paraprirë rasteve të ngjashme në të ardhmen

 

“Mendoj se Ministria e Shëndetësisë duhet të prezantojë në Kuvend një analizë të situates së deritanishme, problematikat e shfaqura dhe kryesorja me reflektimin për disa masa të qëndrueshme afatgjata për përballimin dhe menaxhimin e situatës në vijimësi dhe mundësit që kemi apo që duhen përforcuar për parandalimin dhe menaxhimin sa më mirë të situatave të tilla në të ardhmen, të cilat nuk urojmë kurrë që të përsëriten por nuk janë në dorën dhe dëshirën tone”, tha Xhafaj.

 

Ai e ka vijuar fjalën e tij me mirënjohje ndaj 16.738 qytetarëve të qarkut të Tiranës që e kanë votëbesuar më 25 prill dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë që në këtë situatë ku gjendet vendi kanë zgjedhur t’i besojnë Partisë Socialiste një mandat të ri.

 

“Besoj fort se edhe në këtë rast, në kushtet reale ku gjendet vendi dhe situata politike aktuale, shqiptarët kanë ditur të bëjnë zgjedhjen më të mirë të mundshme, alternativën e duhur për qeverisjen e tyre. Nga ana tjetër, mbetem i vetëdijshëm se nuk ka fare vend apo kohë për eufori, por përkundrazi për më shumë maturi e përgjegjësi për ne si fitues që na takon të thellojmë më tej punën për t’ju mbajtur çdo ditë zotimeve tona. Pavarësisht çdo zhvillimi, personalisht e vlerësoj pozitivisht faktin që institucionet shtetërore të shëndetësisë na i kanë shpërblyer deri më tani me rezultate pozitive të gjithë besimin e mbështetjen e dhënë, që gjithë kjo betejë nga dita e parë e saj është menaxhuar me shumë efikasitet nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë vecanërisht.Ky është fakt dhe pavarësisht pozicioneve në këtë sallë qytetarët e këtij vendit, ata që vendosin e kanë vlerësuar dhe certifikuar edhe me votën e besimit të 25 prillit”, tha Xhafaj.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re