Nga Namir LAPARDHAJA* –

Pavarësisht se rritja e fundit është bërë në vitin 2016 (vetëm me votat e këshilltarëve të majtë), kjo nuk është hera e parë pas kësaj periudhe që Bashkia Berat kërkon rritje të çmimit të ujit, për abonentët familjar dhe për bizneset.

Në fakt, pavarësisht votave tona në mënyrë konstante kundët këtij propozimi, ka një insistim me të njëjtat argumente, të cilat, në thelb, kanë të bëjnë me punët e brendshme të SHA Ujësjellës-Kanalizime, Kuçovë-Berat, të marrëveshjeve të saj me të tretë dhe me vazhdimësinë e vendosjes së matësve dhe nuk ka të bëjë qoftë me përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, qoftë me cilësinë e këtij furnizimi, gjatë kohës që vjen.

Pra, propozohet rritje e çmimit të ujit të pijshëm, ndërkohë, bazuar në përfundimet e raportit të Autoritetit të Konkurrencës, i cili i ka rekomanduar Entit Rregullator të Ujit (në vitin 2017 për rastin e rritjes së ujit në Bashkinë e Tiranës) se “rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në MËNYRË TË VEÇANTË TË ORARIT TË FURNIZIMIT ME UJË”.

Nga sa argumenton shoqëria aksionere e ujit për Beratin dhe Kuçovën, kemi të bëjmë me mbarëvajtje të punëve tuaja, kurse kriteret e Autoritetit të Konkurrencës kanë të bëjnë me performancën (në mënyrë të veçantë orarin e furnizimit me ujë).

Asnjë nga argumentet e dhëna nuk na siguron furnizim me ujë të pijshëm në orare më të shumta, se për 24 orë as që bëhet fjalë.

Përkundrazi, ashtu siç edhe qytetarët janë dëshmitarë, furnizimi me ujë të pijshëm i qytetit gjithë këto kohë ka qenë mjaft problematik.

Për të mos u zgjatur më shumë, mendoj se rritja e çmimit të ujit të pijshëm (në një kohë kur gjithçka rritet për qytetarët beratas, por edhe për më gjerë) nuk është zgjidhje e duhur, ndërsa një mirëmenaxhim më i mirë i SHA-së, reduktimi në maksimum i humbjeve në rrjetë dhe rritja e bazës së mbledhjes së tarifës për të gjithë konsumatorët në mënyrë të njëjtë, do ta ndihmonin ndërmarrjen e SHA Ujësjellës-Kanalizime, Berat-Kuçovë jo vetëm për të rregulluar performancën, por edhe për t’iu përgjigjur sfidave të saj që ka me partnerët e tretë.

*Diskutimi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Berat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re