Edi Rama kandidon i teti në Durrës dhe i teti në Vlorë në siglën e Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e vitit 2017, i teti në Durrës dhe i teti në Vlorë ishin historitë e suksesit të PS-së.

Në zgjedhjet e vitit 2021, për t’u dhënë socialistëve mesazhin e dyshemesë nga ku PS nuk duhet të zbresë, udhëheqësit e qarqeve dhe vetë kryetari i PS e vendosën veten në limitin e fundit të listës fituese të 2017, me qëllim mobilizimin e bazës për të ruajtur rezultatin apo për ta kaluar atë.

Ndryshimi i kodit që u jep mundësinë kryetarëve të kandidojnë deri në katër qarqe, bëri që Edi Rama të mos braktisë as Vlorën ku është zgjedhur prej dy mandatesh deputet dhe as Durrësin, pikën më të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Durrësin Rama e zgjodhi si simbolikë të planit të tij të rindërtimit.

Durrësi ka qenë një qark i vështirë si për socialistët dhe për demokratët ndër vite, rezultatet zgjedhore asnjëherë nuk kanë bërë që të prevalojë njëra apo tjetra palë për ta konsideruar Durrësin bastion.

Zgjedhjet e fundit Durrësi vërtet u dha socialistëve 8 mandate, por 8 vitet e qeverisjes, tërmeti dhe pandemia më pas, e kanë lodhur dhe konsumuar qeverisjen.

Rindërtimi ndoshta nuk ka ecur me ritmin që Edi Rama do ta kishte dëshiruar një vit më parë dhe pandemia ka luajtur një rol të rëndësishëm që nga dalja nga vëmendja dhe axhenda e ndërkombëtarëve për financimin e ndërtimit të shtëpive pas tërmetit, qoftë edhe për uljen e ritmeve të punës krahasuar me kohë normale.

Por pavarësisht kësaj, edhe aq sa është bërë, dhe nuk është bërë pak, nëse u besojmë sondazheve, i jep Edi Ramës një shans për të ruajtur të tetin, pa llogaritur formulën pa koalicione, fushatën agresive në terren apo aktorët lokalë si Lefter Koka që dikur mblidhte mandatet e LSI-së.

Por teksa sondazhet tregojnë një rënie drasttike të LSI-së në rang kombëtar, edhe në Durrës, treguesi i të gjithëve është rritja e PD-së. Nëse nga njëra anë kemi një LSI që bie, në anën tjetër kemi një PD që ringrihet krahasuar me 2017.

Nëse katër vjet më parë LSI merrte dy mandate në Durrës, fakti që këtë vit diskuton edhe një, tregon shumë se kush po e zhvillon betejën në këtë qark.

Nga selia blu, Durrësi konsiderohet si një nga qarqet që duhet të bëjë përmbysjen, duke e kthyer rezultatin në të kundërt krahasuar me 2017.

Nëse socialistët kërkojnë të ruajnë kuotën, sondazhet e japin të pavendosur të tetin për PS, duke anuar më shumë nga 7. Me këtë skenar Edi Rama fiton mandatin vetëm nëse thyen listën e partisë.

Në Vlorë, në 2017, PS mori 8 dhe për pak qindra vota mund të kishte rrëmbyer edhe të nëntin mandat që i shkoi LSI-së me Shkëlqim Selamin, të cilin sot Ilir Meta e sulmon ashpër për shkak të kalimit me Rilindjen dhe arsyeve të tjera që lidhen pikërisht me kandidimin e Ramës si numri tetë i listës.

E nëse në Durrës rreziku që PS të mos marrë 8 është më i madh se shansi që ta fitojë atë, në Vlorë po shihet një aleancë e pazakontë mes të parit të qarkut të PD-së Bujar Leskaj dhe presidentit të Republikës kundër Edi Ramës.

I vetmi president që është rreshtuar hapur në fushatë kundër Kryeministrit dhe Partisë Socialiste që nga viti 1997, fushata e fundit e Sali Berishës si president i Republikës.

Një njeri i zakonshëm kur sheh këtë përqëndrim të fuqishëm të Ilir Metës në Vlorë, agresivitetin e tij të javëve të fundit në këtë qytet, shoqërinë me një drejtues politik kundër një drejtuesi tjetër, injorimin nga ai dhe drejtuesit e LSI-së të të parit të listës së LSI-së, pra një sërë veprimesh që një kryetar shteti si kurrë më parë nuk e ka bërë, ndonjëherë dhe krruan kokën për të kuptuar se ku do të dalë me këtë fushatë presidenti.

Retorika për vjedhjen, blerjen, shitjen, kleringun e votës, shantazheve dhe premtimeve për vende pune për këdo që i dëgjon e kupton që është vetëm fasada me të cilën politika gjithmonë fsheh mëkatet e veta të së kaluarës.

Atëherë përse po luhet më zjarrin në Vlorë? Përse retorika luftarake parasheh trazira në 26 prill, ndoshta edhe më parë, ditën e zgjedhjeve me demaskime në portale denoncimesh apo qytetarin dixhital?

Me LSI-në gati inekzistente për të marrë mandat në Vlorë, me PD në rritje, duke pasur si bazë fillestare 3 mandatet e 2017, dhe duke synuar të katërtin, me PS-në që pavarësisht punëve që ka bërë në këtë qark mund të vuajë edhe këtu konsumin e tetë viteve, pakënaqësitë dhe inatet e vetë vlonjatëve që mund të zihen edhe me detin në mëngjes, siç e thonë edhe vetë me humor; me sa duket strategjia është për të goditur mandatin e tetë të PS-së, duke bashkuar forcat mes LSI-së dhe PD-së, qoftë edhe duke djegur mandatin e Luan Ramës për t’ia lehtësuar PD-së, por me qëllimin që Edi Rama të humbasë në listën e mbyllur.

Si në Durrës edhe në Vlorë, nëse PS humbet të tetin, edhe pse në të dy rastet Rama mund të thyejë listën me votë personale, përçse i heq PS-së dy mandate, aleanca Meta-PD synon që nesër Ilir Meta si president t’i thotë kryetarit të PS-së se populli nuk të ka zgjedhur kryeministër, sidomos nëse merr 70 e më pak mandate.

Në këtë mënyrë, vendi hyn në një destabilitet politik, një krizë që mund të përfshijë presidentin, parlamentin dhe partitë dhe që mund të zgjasë me muaj të tërë e që zgjidhjen mund ta ketë në një palë zgjedhje të tjera.

Prandaj deri në 26 prill do të dëgjojmë shumë gjëra të tilla, çudi, skenarë me luftë, prerje duarsh e prerje kokash dhe që në vesh do të na kumbojnë si batuta filmash: “Kulla e barit do të digjet!”; “Kulla e barit nuk do të digjet”. I gjithë zjarri bëhet për mandatin e 8 të listës së Vlorës të Edi Ramës.(SI)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re