Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar një ditë pasi humbi të ëmën e tij, teksa thotë se për shkak të situatës së Covid 19 nuk mundet që nënës ti bëjë përcjelljen siç e kërkon zakoni.

Nishani falenderon të gjithë miqtë që i kanë qendruar pranë në këto ditë të vështira, dhe shton se nëna e tij duhet të ndihet e qetë dhe e paqtë.

“Të dashur miq e dashamirë! Ju falenderojmë me mirënjohje për mesazhet tuaja ngushëlluese. Në rrethanat dhe situatën absurde që po kalojmë, kur doket, zakonet, traditat tona nuk po mundemi ti respektojmë, prania dhe ngushëllimi juaj përmes mesazheve ishte lehtësimi ynë më i madh.

Në pamundësi për t’ju përgjigjur një për një, personalisht seicilit prej jush, siç e meriton nderi dhe vlera juaj për ne, lutemi pranoni mirënjohjen dhe falenderimet tona.

Unë besoj, besoj shumë se Nëna jonë e ndjerë është e qetë dhe e paqtë që ne kemi kaq shumë miq e dashamirë! Zoti sjelltë veç gëzime në familjet tuaja”, shkruan Nishani në postimin e tij në rrjetet sociale.

“Kur Nëna të largohet nga kjo jetë, megjithëse ti je vetë baba, përsëri qan si një fëmijë”, shkruante dje ish-presidenti.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re