Kolegji Zgjedhor vendosi sot që zgjedhjet për kryetar bashkie në Rrogozhinë të përsëriten. Ky vendim erdhi pas kërkesës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili kishte kërkuar që të hiqej tabela me rezultatin e burgut, kjo kërkesë nuk u pranua, por u vendos që të përsëriten zgjedhjet.

Por çfarë parashikon Kodi Zgjedhor në këtë rast?

Sipas Nenit 161 të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre.

Po ashtu, ky nen thotë se vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë.

Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit.  Data e zgjedhjeve caktohet me dekret të Presidentit.

Neni thotë gjithashtu se “Zgjedhjet për këshillat e qeverisjes vendore nuk përsëriten”.

Bashke Fitojme kontestoi rezultatin

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe  Shkëlqim Hoxha, kandidat për kryetar bashkie Rrogozhinë i këtij koalicioni, kontestuan një kuti votimi në Burgun e Rrogozhinës, ku në shumicë dërrmuese votat ishin për kandidatin e Partisë Socialiste.

Ata i kërkuan Kolegjit që të miratonte tabelën përmbledhëse të rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkie duke mos përfshirë rezultatin zgjedhor të kësaj qendre votimi, që sipas tyre ishte ngritur në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe në të ishin lejuar të votonin persona që nuk i lejonte ligji.

Sipas koalicionit “BF” në burg ishin regjistruar si votues të dënuar që ishin transferuar në këtë burg pas miratimit të listës së zgjedhësve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re