Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka komentuar deklaratën e fortë të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, i cili është shprehur se ka policë në nivele të larta që bashkëpunojnë me krimin e organizuar.

“Ka një deklaratë të rëndë të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, ai thotë që në rastet e krimit të organizuar nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton që ka policë të përfshirë në nivele të larta”, u shpreh deputeti demokrat.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Salinaji u shpreh se personat e shpallur në kërkim më shpejt i gjen krimi, sesa policia.

“Nëse ndodhin vrasje e kuptojmë që personi ka qenë në kërkim por e ka gjetur krimi më përpara se ju”, tha ai.

Ervin Salianji: “Ju folët për një ngjarje tragjike të ndodhur në këtë vend, për vdekjen e 7 emigrantëve dhe një qytetari shqiptar dhe policia e shtetit ka qenë në krye të detyrës. Kjo është një ngjarje pikëlluese, por nga kjo ngjarje marrim vesh që policia e shtetit i kap vetëm të vdekur.

Struktura AMP thotë që policia edhe trupat e vdekur i ka gjetur pas 3 orësh dhe çdo ngjarje kriminale në këtë vend ne i kuptojmë pasi vdesin njerëz dhe pasi policia shkon si agjenci funeralesh apo lajmesh. Nëse ndodhin shpërthime si në qytetin ku jeni sot i deleguar, e kuptojmë që policia e shtetit e ka lënë territorin sepse është deputeti i juaj, nëse ndodhin trafik i paligjshëm emigrantësh, kuptohet që i ka lënë policia e shtetit dhe i ka gjetur të vdekur.

Nëse ndodhin vrasje e kuptojmë që personi ka qenë në kërkim por e ka gjetur krimi më përpara se ju. Dhe unë besoj ministër që ju duhet të dilni dhe të jepni garanci për qytetarët shqiptarë. Ka një deklaratë të rëndë të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, ai thotë që në rastet e krimit të organizuar nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton që ka policë të përfshirë në nivele të larta.

10 vite nuk denoncojmë policinë, drejtuesit e policisë së shtetit i keni vendosur ju politikisht të cilët vendosin nën presion edhe policët e thjeshtë sepse bashkëpunojnë me krimin. Për këtë deklaratë, ju duhet të dilni të flisni sepse nga sot nuk ka qytetar që besoj tek policia e shtetit.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re