Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi ka reaguar pas investigimit të medias italiane RAI3, që e konsideron atë si personin kyç në marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Në një reagim ai thotë se do të padisë për shpifje kundër programit në televizionin shtetëror italiane, pasi po i dëmton reputacionin.

Ai thotë se burimet para se të publikohen duhet të verifikohen, ndërsa thekson se prej 10 vitesh e ka lënë detyrën e tij ligjore.

“Kam lënë detyrën ligjore 10 vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv “Report” është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”.

LEXO EDHE: Pakti për emigrantët/ Media italiane: Engjëll Agaçi, njeriu kyç në marrëveshjen Shqipëri-Itali, një ish-avokat i trafikantëve të drogës

Emisioni Report ne Rai 3 denoncoi dje se njeriu kyç i paktit Itali-Shqipëri është një ish-avokat i narko-trafikantëve, për të cilin thuhet se ka qenë “në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës”.

“Por mbi të gjitha, njeriu kyç në marrëveshjen e kërkuar nga qeveria Meloni është Engjëll Agaçi, “sekretar i kryeministrit Edi Rama dhe ish-avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës”, – thuhet ndër të tjera në shkrim.

Në fakt, ata japin detaje për sa i përket mënyrës se si janë ekstraduar disa persona të dënuar me shumë vite burg nga drejtësia italiane, por në momentin që kanë shkuar në Shqipëri, atyre ose u është ulur dënimi, ose kanë fituar lirinë. Janë një sërë pikash të dyshimta që lidhen me njeriun-hije të paktit të shumëpërfolur të emigrantëve, të cilat janë trajtuar në emisionin investigativ të mbrëmjes në RAI 3.

Shkrimi: 

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët mund të kushtojë rreth 1 miliardë euro, pa zgjidhur asnjë problem dhe me rrezikun që një pjesë e këtyre parave të sekuestrohet nga një sipërmarrës i njohur italian, i cili mburret me kredi në Tiranë.

Por mbi të gjitha, njeriu kyç në marrëveshjen e kërkuar nga qeveria Meloni është Engjëll Agaçi, “sekretar i kryeministrit Edi Rama dhe ish-avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës”.

Emisioni “Report” bëri llogaritjen e operacionit të emigrantëve në Shqipëri dhe zbuloi “një seri mospërputhjesh”.

Nga dokumentet e konsultuara del se krahasuar me 36 mijë emigrantë të parashikuar nga Meloni, dy qendrat e pritjes shqiptare do të presin maksimumi 2822 emigrantë, duke qenë se kapaciteti maksimal është më pak se një mijë persona. Dhe kostot tashmë janë jashtë kontrollit: ndërtimi i dy qendrave ka shkuar nga 35 milionë në 65 dhe rrezikon të rritet më tej duke qenë se afati i punimeve tashmë është shtyrë nga maji në prill.

Kostot të cilat, siç del nga dokumentet e konsultuara nga Report, do të përballohen me shkurtime të rënda për Ministrinë e Universitetit, Mjedisit dhe Shëndetësisë.

Por ekziston edhe rreziku që një pjesë e parave të destinuara për Shqipërinë mund të përfundojnë duke fryrë llogaritë e Francesco Becchettit, nipi i diskutueshëm sipërmarrës i ras-ve të landfilleve Manlio Cerroni, themeluesi i Agon Channel.

Shqipëria u dënua me 135 milionë euro dëmshpërblim për biznesmenin italian, por nuk ka ndërmend ta paguajë. Dhe për këtë arsye ai vendosi të sekuestronte në mënyrë parandaluese një pjesë të fondeve të destinuara për qeverinë e Tiranës. Por, Report zbulon edhe identitetin e njeriut kyç në marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë: Engjëll Agaci, sekretari i Ramës.

Agaci është një avokat i rëndësishëm shqiptar me zyrë edhe në Romë. Në të kaluarën, klientë të tij ishin edhe disa nga bosët kryesorë të mafies shqiptare, të gjykuar në Itali.

Në vitin 2016, disa nga klientët e tij përfunduan në qendër të një polemike ligjore. “Sipas asaj që raportuan magjistratët italianë, shumë bosë të mafias shqiptare, të dënuar me dënime nga 10 deri në 20 vjet në Itali, u ekstraduan shumë lehtë në Shqipëri, ku pasi mbërritën ata vuanin dënime shumë më të ulëta ose madje u liruan nga burgu.

Sipas Reportit, avokati Agaci zë një nga postet qendrore të qeverisë Rama, si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Kur Giorgia Meloni shkoi me pushime në Shqipëri këtë verë për të diskutuar detajet e marrëveshjes për emigrantët, ai ishte gjithashtu i pranishëm, përkrah Edi Ramës dhe kryeministrit italian.

Report përfundon: “Agaci ka qenë konsulent i kreut të Interpol General Lisi, oficer ndërlidhës mes Tiranës dhe Romës, në luftën kundër trafikut të drogës. Lisi duhej të menaxhonte një operacion pronash të paluajtshëm që kishte të bënte me zotërimin e disa tokave për fondacionin e tij dhe iu drejtua avokatit Agaci i cili e vuri në kontakt me një frontmen të Artur Shehut, kreu i trafikantëve të drogës në kontakt me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita, Lisi na tha se nuk e dinte kush ishte Shheu dhe se kishte besim tek Agaci. Edhe Rama dhe qeveria jonë i besuan Agacit, ishte ai që në rolin e këshilltarit ligjor të Ramës, ndoqi në emër të qeverisë shqiptare ankesën e paraqitur nga opozita në Gjykatën Kushtetuese shqiptare në lidhje me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët. Agaci shpëtoi investimet milionere nga Italia që do të mbërrijnë në Shqipëri. Po flasim për rreth një miliard euro në 5 vjet”.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re