Ky është një samit si asnjë para tij. Ndryshimi qëndron në pjesën më të madhe për shkak të një njeriu- Donald Trump. Nën diktatin e tij, tensionet periodike midis Shteteve të Bashkuara dhe shumë prej aleatëve të tij janë shndërruar në linja beteje që mund, nëse lejohen të zgjerohen, të vendosin pikëpyetje mbi vetë të ardhmen e aleancës.

Kështu e nis analizën e tij, korrespondenti diplomatik i BBC-së, Jonathan Marcus në lidhje me samitin e NATO-s duke dhënë edhe perspektivën e aleancës.

Për çfarë shërben NATO?

Që nga konceptimi i saj, NATO ishte një aleancë mbrojtëse ushtarake me synimin për të zmbrapsur çdo sulm që mund të vinte nga Bashkimi Sovjetik i asaj kohe.

Pasi mbaroi Lufta e Ftohtë, NATO nisi ato që i pa si detyrat e veta të reja: përpjekje për të përhapur stabilitetin në gjithë Europën duke mirëpritur anëtarë të rinj, duke vendosur partnershipe në shumë fusha me vende të tjera por gjithashtu edhe duke përdorur forcën me raste – më dukshëm në Ballkan – për të parandaluar agresionin dhe genocidin.

Por, aleanca ka qenë gjithnjë më shumë sesa thjesht një organizatë ushtarake.

Ajo është një nga institucionet qendrore të “Perëndimit”, pjesë e një sërë trupash ndërkombëtare përmes së cilave Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kërkuan të vendosin rregulla në botën që doli pas mposhtjes së nazizmit në vitin 1945.

Por, në themel, NATO është një aleancë e vlerave të përbashkëta dhe unitetit trans-atlantik. Dhe kjo është arsyeja përse ngjitja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë po dëshmohet kaq trazuese.

A po shthuret nyja trans-atlantike?

 

Në sipërfaqe, të paktën, tensionet në rritje midis presidentit amerikan dhe shumë prej aleatëve të tij të NATO-s kanë të bëjnë me paratë.

Ndarja e barrës, siç quhet, ka qenë një çështje kryesore prej një kohe të gjatë për samitet e NATO-s.

Trump nuk është presidenti i parë i cili e nënvizon këtë çështje. Por, si në termat e stilit dhe të thelbit, ai përfaqëson diçka të re.

Debati fokusohet rreth tragetit të dakordësuar nga të gjithë anëtarët e NATO-s që shpenzimet e mbrojtjes duhet të rrijnë 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2024.

Shpenzimet po rriten me siguri në shumë vende. Trump mund të marrë merita për këtë gjë. Por ende shumë aleatë kanë vështirësi të arrijnë tragetin e dakordësuar.

Për presidentin Trump, Gjermania, një prej partnerëve më të pasur të Uashingtonit, është shkelësja më e madhe.

Më herët këtë muaj, në komente të drejtuara ndaj kancelares gjermane, Angela Merkel, ai tha: “Unë nuk e di sesa shumë mbrojtje marrim duke ju mbrojtur ju”.

 

Duke vënë në dukje se Gjermania negocioi marrëveshje gazi me Rusinë, ai shtoi: “Ata paguajnë miliarda dollarë për Rusinë dhe ne jemi idiotët që paguajnë për të gjithë gjënë”.

Vënia në dyshim e vlerës së NATO-s për vetë Shtetet e Bashkuara është diçka e rë dhe thellësisht shqetësuese për  shumë nga partnerët e Uashingtonit.

Sa serioz është kërcënimi rus?

Sfidat strategjike me të cilat përballet NATO po ndryshojnë. Ato janë, njëherësh dhe në të njëjtën kohë, më komplekse por më të lehta për t’u përcaktuar.

Këto sfida variojnë nga fuqizimi i Rusisë deri tek lufta e informacionit dhe ajo kibernetike, nga terrorizmi tek emigracioni masiv.

Rusia e ka treguar veten se ka vullnetin të tregojë muskujt ushtarakë në vende si Gjeorgjia. Por, madje, edhe kërcënimi rus ka ndryshuar. Ky nuk është më Bashkimi Sovjetik i së shkuarës.

Kërcënimi është më pak se ushtritë e mëdha të tankeve ruse, por një sërë strategjish që nga hakerimi deri tek sulmet kibernetike, tek operacionet e të dhënave, të gjitha me synimin për të prishur ballancën e demokracive perëndimore.

Qeveritë perëndimore besojnë qartësisht se Rusia ka vullnetin të përdorë edhe vrasjetpo ashtu – duke parë vrasjen e Aleksandër Litvinenkos në Londër në vitin 2006 dhe përpjekjen për të vrarë ish-agjentin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij, Julia Skripal në Salisbury, më herët këtë vit.

Rusia është relativisht një vend i dobët, por ka vullnetin të përdorë muskujt ushtarakë, sidomos afër shtëpisë në Gjeorgji dhe Ukrainë – për të siguruar interesat e veta strategjike.

A do i mbijetojë NATO-ja Trump-it?

Vrazhdësia e Trump është në një farë shkalle, freskuese.

Shtetet e Bashkuara janë superfuqi me interesa strategjike në të gjithë globin.

Kërcënimi rus tashmë është i ndryshëm- për ta përballur nuk kërkohet forca masive e së kaluarës.

Europa duhet të jetë në gjendje të mundësojë më shumë për mbrojtjen e saj.

Në të vërtetë, pavarësisht gjithë retorikës së Trump, realiteti është që Shtetet e Bashkuara tashmë janë më të angazhuara ushtarakisht në Europë sesa ishin pak vjet më parë.

Figura kyçe të administratës, jo më pak sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, janë mbështetës të ethshëm të aleancës Atlantike.

Por, a ndan të njëjtat vlera me partnerët evropianë dhe kanadezë të Uashingtonit, vetë Trump? Shumë do të thoshin jo. A e njeh ai vlerën e një aleance të tillë si NATO për Shtetet e Bashkuara? Sërish, shumë do të përgjigjeshin me jo.

Trump shkon nga pjesëmarrja në këtë samit të NATO-s në takimin me homologun rus, Vladimir Putin. Ky takim ka acaruar shumë nga aleatët e NATO-s. Çfarë mund të japë Trump? Çfarë mesazhi do të marrë Moska nga vështirësitë e NATO-s?

Diplomatët e NATO-s kanë hequr dorë nga negocimi i ulje-ngritjeve të presidencës Trump. Tani, ata kanë frikë të pastër që një mandat i dytë i Trump do ta lëjë NATO-n të margjinalizuar dhe kolonën e saj trans-atlantike thellësisht të dëmtuar.

Përgatiti: Juli Prifti-

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re