Nga: Shpëtim Doda
Lulzim Basha nxitoi të urojë Joe Biden-in. Në një pamje të parë, nuk ka asgjë të keqe. Të njëjtën gjë bënë në kor Merkel, Macron, Trudeau, Johnson, kryebashkiakja e Parisit, madje edhe tre senatorë republikanë, ndonëse këta, krahas përkrahjes së njohur për Biden-in dhe një strategjie të mirëfilltë politike, kishin edhe një arsye tjetër, vetjake: të gjithë kishin patur përplasje, madje edhe ishin fyer publikisht nga presidenti amerikan në detyrë. Problemi i urimit të Bashës qëndron gjetkë; nëse nuk është fryt i ndonjë imponimi nga jashtë, ky veprim mund të shihet si një “rrëshqitje frojdiane”, e cila shpjegon më së qarti se përse PD nuk ia doli këto tetë vjet (sikundër nuk do t’ia dalë as tetë vitet e ardhshme), të vijë në pushtet, pavarësisht se, si asnjë kryeministër tjetër në botë, Edi Rama, përmes zullumeve pa cak, ia ka ofruar disa herë mundësinë e artë.
Zgjedhjet në ShBA mund të quhen thjesht dhe vetëm mediatikisht të mbyllura, ndërkohë që zyrtarisht janë ende në proces dhe gjithçka vijon që të jetë ende e hapur, për aq sa, për shkak të diferencës së ngushtë, procesi i rinumërimit është krejtësisht i sigurt në 5 shtete, duke lënë të hapur jo pak por 63 vota, ndërkohë që nuk është i sigurt vetëm në një shtet, shprehimisht në Michigan, ku rinumërimi mund të zërë vend vetëm në rast se provohet një mashtrim apo parregullsi e atillë, mungesa e të cilit/cilës do të ndikonte në rezultat, e kjo për shkak se diferenca mes kandidatëve është mbi normën që lejon rinumërimin. E pra, pavarësisht se rezultati mbetet zyrtarisht dhe ligjërisht ende i hapur (pa i hyrë kësisoj diskutimeve e hamendësimeve rreth votimit në Kolegjin zgjedhor apo dërgimit të çështjes në Supreme Court), Lulzim Basha u turravrap të urojë Joe Biden-in e shpallur fitues nga mediat, duke treguar përmes këtij veprimi jo të qenit përkrahës i Biden-it (kjo për mua nuk ka pikë rëndësie, pasi Basha është i lirë që të përkrahë kë të dojë, siç nuk ka rëndësi as se kush do t’i fitojë zgjedhjet zyrtarisht), por pamjen që ka për mekanizmin e kontestimit të rezultatit dhe rinumërimin e votave.
Ndryshe nga ish presidenti Bush, i cili, krahas urimit, i përmend Biden-it edhe të drejtën e presidentit Trump “për të ndjekur rrugët ligjore për rinumërim të votave”, Lulzim Basha vetëm uroi, duke e anashkaluar këtë, pasi për të mekanizmi i ankimimit, verifikimit e rinumërimit duket qartë se nuk kanë asnjë vlerë apo ndikim substancial në proces, por shërbejnë thjesht për të krijuar një alibi për të justifikuar humbjen në sytë e elektoratit e për t’i bishtnuar kësisoj dorëheqjes. Këtë duhet ta ngulisim mirë në mendje, pasi gjatë të dielës së 25 prillit të vitit të ardhshëm dhe në ditët në vijim jam i sigurt se do ta shohim e dëgjojmë Lulzim Bashën të çirret e ngjiret për vjedhje votash, për votime të vdekurish, për trysnim votuesish, për mbushje kutish me fletë të ardhura nga jashtë etj., duke kërkuar verifikim, rinumërim etj., si dhe duke na ftuar në protesta.
Ndërkaq, pyetja se, po në rast se procesi i runumërimit sjell ndryshim të rezultatit dhe Trump-i shpallet dhe çertifikohet si fitues i zgjedhjeve jo nga Associated Press, por nga organet kompetente, çfarë do të bëjë Lulzim Basha, do të nxitojë sërish të urojë, mendoj se nuk ka pikë rëndësie.
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.



