Shkrimtarja Flutura Açka me anën e një postimi në facebook ka ironizuar deputetët e parlamentit aktual. Açka shprehet se për të parandaluar një dështim në cilësin e parlamentit të ardhshëm, nevojitet që deputetët të kalojnë një test diktimi paraprakisht.

Me një ironi therëse por që gjend vend në bëmat e ndodhura në Parlament gjatë këtyre viteve të fundit, shkrimtarja kërkon të vlerësojë rëndësinë e fjalës, ku sipas saj fjala është e para dhe ajo fillon nga gjuha.

Postimi i plotë: Për cilësinë e parlamentit të ardhshëm

Që Parlamenti ynë të mos jetë më objekt kabareje, përveç të gjitha nismave që do ta pastrojnë nga kríminelët e faqezijtë, do të ishte mirë që deputetët të kalonin një test fare të thjeshtë: atë të drejtshkrímit. Mjafton një diktim i thjeshtë – publik, faqe shqiptarëve – për pak minuta për ta ruajtur parlamentin tonë nga analfabetët. Sepse më ka zënë syri shpesh statuse lemerisëse deputetësh, cilësia e shkrímit të të cilëve e fyen gjuhën shqipe.

Kjo që po them është një gjë shumë serioze, aq serioze sa në Holandë një nga konkurset më të rëndësishëm publikë, është Diktimi, që shfaqet drejtpërdrejt në televizion dhe marrin pjesë njerëz të të gjitha fushave. Ata mblidhen në një sallë dhe u diktohet një tekst. Fituesi merr një shpërblim të madh, sepse është respektuesi më i madh i gjuhës. Dita e Diktimit Kombëtar, është gati festë kombëtare.

Le ta fillojmë edhe ne duke u diktuar parlamentarëve të ardhshëm, kush kalon, le të kalojë, kush ngel, le të ngelë e të turpërohet e të mos hyjë në parlament.
Fjala është e para, e fjala fillon nga gjuha!

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re